Bota Postuar më 17 Tetor 2025, 09:14

India, forca ushtarake ajrore e treta në botë - Tejkalon Kinën dhe forcon pozicionin gjeopolitik në Azi

Nga Kristi Ceta

India, forca ushtarake ajrore e treta në botë - Tejkalon Kinën

India ka kaluar Kinën, duke u renditur si fuqia ushtarake ajrore e tretë më e madhe në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Kështu bën të ditur raporti më i fundit i Drejtorisë Botërore të Avionëve Modernë Ushtarakë, i publikuar nga Newsweek.

Kina, që prej vitesh cilësohej si lideri ushtarak ajror i Azisë, tani ka rënë në vendin e katërt, në një ndryshim që sinjalizon transformimin e ekuilibrave strategjikë në kontinent. Raporti përfshin 103 shtete dhe 129 shërbime ajrore, duke ndjekur flotat e gjithsej 48.082 avionëve në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara mbeten në krye me fuqinë ajrore që tejkalon flotat e kombinuara të Rusisë, Kinës, Indisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Kjo epërsi e padiskutueshme mbështetet në faktin se SHBA përfaqëson gati 40% të shpenzimeve ushtarake globale.

India tashmë renditet në vendin e tretë me një vlerësim TruVal (TVR) prej 69.4, që mat jo vetëm numrin e avionëve, por edhe kapacitetet sulmuese e mbrojtëse, logjistikën, modernizimin dhe trajnimin operativ.

Flota e saj përfshin 1,716 njësi ajrore, me përbërje të balancuar: 31.6% avionë luftarakë, 29% helikopterë dhe 21.8% avionë trajnues. India, që furnizohet si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Rusia, reflekton pozitën e saj gjeopolitike gjithnjë e më të rëndësishme.

Epërsia e re e Indisë u dëshmua sidomos gjatë Operacionit “Sindoor”, një seri goditjesh precize në maj kundër infrastrukturave në Pakistan dhe Kashmir, si përgjigje ndaj një sulmi terrorist më 22 prill në Pahalgam që shkaktoi 26 viktima. Ky operacion shfaqi saktësi, koordinim dhe fuqi goditëse të lartë, duke vërtetuar rritjen e aftësive të Forcës Ajrore Indiane.

Kina tani qëndron me një TVR prej 58.1. Megjithëse vazhdon të investojë në teknologji dhe modernizim, ajo mbetet prapa Indisë në faktorë si trajnimi, mbështetja ajrore dhe njësitë e specializuara bombarduese. Diferenca mes dy fuqive tregon se numri i avionëve nuk mjafton pa efikasitet operacional dhe përgatitje strategjike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat