Izrael-Iran, në prag të luftës - Analiza/ Cili shtet do të dominonte në një konflikt ushtarak?
Daullet e luftës po dëgjohen gjithnjë e më fort në Azinë Perëndimore. Të premten, Izraeli kreu sulme ndaj infrastrukturave bërthamore dhe ushtarake iraniane. Kryeministri i vendit Benjamin Netanyahu tha se Irani ishte një kërcënim për "vetë mbijetesën e Izraelit".
Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar mbi 100 dronë ndaj kombit hebre. Përshkallëzimi i situatës ka përforcuar ndjeshëm mundësinë e një lufte të përgjithshme në rajon. Por cili prej dy vendeve ka ushtrinë më të madhe dhe do të ishte i avantazhuar në rast lufte?
Një krahasim krah për krah i ushtrive të Iranit dhe Izraelit tregon se Teherani e tejkalon kombin hebre në aspektin e fuqisë punëtore. Irani ka një popullsi dhjetë herë më të madhe se ajo e Izraelit, nga e cila nxjerr forcat e armatosura. Sipas indeksit të vitit 2024 të Global Firepower, popullsia e Iranit ishte 88,000,000 banorë. Ndërsa Izraeli ka një popullsi prej 9,000,000 banorësh. Kjo nënkupton se Teherani ka një grup më të madh njerëzish për të zgjedhur.
Një raport i New York Times ka deklaruar se forcat e armatosura iraniane janë ndër më të mëdhatë në rajonin e Azisë Perëndimore, me të paktën 580,000 personel aktiv dhe rreth 200,000 personel rezervë të trajnuar. Ndërsa Izraeli ka 169,500 personel ushtarak aktiv në ushtri dhe marinë. 465,000 të tjerë përbëjnë forcat e tij rezervë, ndërsa 8, 000 janë pjesë e paraushtarakëve.
Shpenzimet e mbrojtjes
Megjithatë, kur bëhet fjalë për shpenzimet e mbrojtjes, Izraeli e tejkalon Iranin. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Izraeli shpenzoi 46,5 miliardë dollarë për ushtrinë në vitin 2024, apo 8,78% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një shifër ndjeshëm më e lartë krahasuar me 7,9 miliardë të Iranit (2% të PBB-së) në të njëjtën periudhë.
Por, forcat ushtarake të Teheranit nuk varen vetëm nga buxheti i shtetit për financimin, sipas Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive (FDD) me seli në Uashington. "Strukturat ushtarake kontrollojnë një të pestën e vlerës së tregut të kompanive të listuara në Bursën e Teheranit, si dhe mijëra kompani të tjera, të cilat gjenerojnë të ardhura për forcat e armatosura", raportoi Fondacioni.
Përballja e armatimeve
Ndërsa Irani mund ta tejkalojë Izraelin për sa i përket fuqisë punëtore, Tel Avivi mban avantazhin për sa i përket armatimit. Izraeli zotëron më shumë fuqi ajrore, me 612 avionë kundrejt 551 mjeteve të Teheranit. Një detaj i rëndësishëm është se forca ajrore izraelite përfshin avionët luftarakë më modernë si F-15, F-16 dhe F-35. Në zotërim të kombit hebre është edhe sistemi i famshëm i mbrojtjes ajrore, që përfshin Kupolën e Hekurt, Shigjetën, si dhe Patriotin.
Megjithatë, arsenali raketor i Iranit është i pakrahasueshëm. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike ka raportuar se Irani ka një nga arsenalet më të mëdha të raketave balistike dhe dronëve në Azinë Perëndimore. Ato kanë kapacitetin dhe rrezen e veprimit për të goditur çdo objektiv, duke përfshirë Izraelin.
Në fakt, Teherani nuk e ka mbajtur të fshehtë grumbullimin e tyre, duke shfaqur pasuritë e dronëve dhe raketave gjatë paradave ushtarake, si dhe ka ambicien për të ndërtuar një biznes të madh eksporti të dronëve.
Kur bëhet fjalë për fuqinë tokësore, Izraeli ka 1,370 tanke, ndërsa Irani 1,996 të tillë. Për më tepër, shteti hebre ka në arsenalin e tij mjete më të përparuara, si tanket Merkava, të konsideruara ndër më të fuqishmet në botë.
Për sa i përket fuqisë bërthamore, Izraeli është i avantazhuar. Sipas një raporti të mëparshëm të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), vendi ka afërsisht 80 armë bërthamore. Nga këto, afërsisht 30 janë bomba gravitacionale për t'u përdorur me avionë. Ndërsa 50 armët e mbetura përdoren me raketa balistike me rreze të mesme veprimi.
Ndërsa Teherani, ndonëse nuk zotëron armë bërthamore, ka zhvilluar një program të avancuar bërthamor që ka ngjallur shqetësime ndërkombëtare. Vendi ka arritur nivele të larta të përpunimit të uraniumit dhe mund të krijojë kapacitet nuklear në një periudhë të shkurtër.
Një nga pikat e forta më të mëdha që Irani ka ushtarakisht është aparati i tij kompleks ushtarak. Në fakt, një raport i New York Times pohon se kundërshtarët e Iranit, kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, kanë shmangur sulmet e drejtpërdrejta ushtarake ndaj vendit për dekada, pasi e kuptojnë se një luftë me Teheranin do të ishte e vështirë për t’u fituar.
Irani armatos, trajnon dhe mbështet një rrjet milicish në të gjithë Azinë Perëndimore, të njohura si "Boshti i Rezistencës". Edhe pse nuk llogariten si pjesë e forcave të armatosura të Teheranit, ata janë të gatshëm për betejë dhe shumë besnikë ndaj vendit.

50% rënie në dëmet e paguara për Karton Jeshil - AMF: Kompanitë e sigurimit shpenzuan në total 2.6 mld lekë për dëmshpërblimet
Kompanitë e sigurimit kanë shpenzuar më pak para për mbulimin e dëmeve të automjeteve të përfshira në aksident, por jo vetëm, në janar-prill 2025. Sipas të......

AMA vazhdon fushatën e Edukimit Mediatik/ Krasniqi në gjimnazin e Durrësit: Kujdes nga rreziqet e botës virtuale!
Dita e fundit e shkollës për gjimnazet e Durrësit është mbyllur me një orë Edukimi Mediatik. Fushata e nisur prej kohësh nga Autoriteti i Mediave......

Bota “përgatit” armët bërthamore - Shpenzimet globale në këtë sektor u rritën me 11%
Shpenzimet globale për armët bërthamore u rritën ndjeshëm në vitin 2024, me nëntë vendet e armatosura bërthamore në botë që rritën buxhetet e tyre me 11%,......

Mbetjet në Vlorë, nis depozitimi në Sherishtë - Projekti 24.95 mln euro, zgjidhje deri në 2047-ën. Mbyllja e fushës ekzistuese, ende pa afat
Në Landfillin e ri të Sherishtës në Vlorë ka nisur zyrtarisht depozitimi i mbetjeve urbane, si pjesë e funksionalizimit të infrastrukturës së re për......

Si do të kreditohen agrobizneset?- Skema e re garancisë. Mbulohet 70% e principalit, normë interesi deri në 2%
Skema e re e Garancisë Sovrane ëshë një nismë që synon të lehtësojë aksesin në financa për fermerët dhe bizneset bujqësore. Ky instrument financiar do të......

Kina “përmbyt” tregun grek - 50,000 pako me vlerë 150 euro secila mbërrijnë çdo ditë nga Pekini
Komuniteti grek i biznesit është thellësisht i shqetësuar për përmbytjen e tregut vendas me produkte të shpërndara nga platformat elektronike shumëkombëshe......

Emigracioni ul popullsinë në 2.3 milionë banorë/ Meshkujt ikin në kurbet, mbeten femrat. Të gjithë “dynden” në Tiranë
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga INSTAT, popullsia e Shqipërisë në datën 1 janar 2025 rezultoi të ishte rreth 2.3 milionë banorë. Krahasuar me......

Karburantet “udhëheqin” konsumin/ Shitjet me pakicë rriten me 7% në fillim të vitit 2025
Në tre muajt e parë të vitit 2025, volumi i shitjeve me pakicë në Shqipëri u rrit me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregtia ka......