Shqipëria Postuar më 5 Korrik 2022, 11:31

Energjia e erës, 'riaktivizohet' projekti i vitit 2007 - Centrali 150 MW në Bilisht/ Pas 15 vitesh, ERE transferon licencën te kompania “SOT-AL”

Nga SCAN TV
Energjia e erës, 'riaktivizohet' projekti i vitit 2007 - Centrali

I miratuar që prej vitit 2007, projekti KAPPET që parashikon ndërtimin e një parku të madh të prodhimit të energjisë nga era, duket se është rikthyer sërish në vëmendje. Pak ditë më parë, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar transferimin e plotë të licencës, nga shoqëria “HERA”, që e kishte në zotërim prej gati 15 vitesh, tek kompania “SOT-AL”.

Ndërkohë që, referuar dokumentit, kompania e re mbajtëse e licencës, do të duhet të duhet që brenda datës 13 shtator të këtij viti të pajiset me dokumentet e tjerë shtesë, për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit. Këtu përfshihen: Leja e Mjedisit, dokumentacioni pronësor, miratimi nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, etj. Projekti “KAPPET” parashikon ndërtimin e një centrali eolik, me fuqi të instaluar prej 150 MW, në Komunën Çërravë të Bilishtit, në Qarkun e Korçës.

Licenca fillestare për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike u miratura në datë 2.11.2007, ndërkohë që në datën 6 korrik 2010 Këshilli i Rregullimit të Territorit miratoi detyrën e projektimit të Masterplanit për ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e këtij centrali.

Sipas njoftimeve të asaj kohe, projekti shtrihet në një hapësirë prej 4125 hektarësh, teksa parashikon edhe ndërtimin e 54 km rrugë të re. Gjithsesi, ndonëse kanë kaluar gati 15 vjet nga dhënia e licencës për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike, projekti është ende në letër, teksa përgjatë këtyre viteve, ERE ka miratuar 2 shtyrje afati për realizmin e tij.

Energjia eolike mbetet e pashfrytëzuar ende në vendin tonë, duke qenë se deri më tani asnjë impiant nuk ka hyrë në prodhim. Ndërkohë që, shfrytëzimi i këtij burimi konsiderohet si i rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht 100% e saj në vendin tonë prodhohet nga uji.

Ola Mitre / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat