Shqipëria Postuar më 19 Dhjetor 2023, 10:54

Eksportet i rikthehen rënies dyshifrore - Bien me 21.8% në Nëntor, lëndët djegëse dhe tekstilet patën kontributin më të lartë

Nga SCAN TV

Ndërkohë që në muajin Tetor të këtij viti eksportet ngadalësuan rënien, të dhënat tregojnë se në muajin Nëtor të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke rënë me 21.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Po ashtu paraqiten me rënie deri në 9.9%, në krahasim me një muaj më parë, pra Tetorin e vitit 2023.

Importet e mallrave arritën vlerën 72 mld lekë, duke rënë me 7.4%, në krahasim me një vit më parë dhe me 8.2%, në krahasim me Tetorin 2023. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 39 mld lekë, duke u rritur me 9.9%, krahasuar me muajin Nëntor të vitit 2022 dhe duke rënë me 6.7%, në krahasim me një muaj më parë

Në harkun kohor të dhjetë muajve eksportet e mallrave arritën vlerën 403 mld lekë, duke u ulur me 9.8% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që importet e mallrave arritën vlerën 800 mld lekë, duke u ulur me 6.5%. Kjo rënie gjatë kësaj periudhe ka qenë kryesisht e ndikuar nga rënia e çmimeve apo zhvlerësimi i euros.

“Scan Intel” ka analizuar edhe kontributin e grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve. Sipas analizës konstatojmë se ndikimin më të lartë në rënien e eksporteve e ka patur grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 10.4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 5.7 pikë përqindje. Për të disatin muaj radhazi eksportet e tekstileve dhe këpucëve janë paraqitur me një tendencë në rënie për shkak të paqëndrueshmërisë së euros, duke bërë që fasonet të jenë në një krizë.

Në një analizë paralele, rezulton se në rënien e importeve ndikimin më të madhe e ka patur grupi  “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me 2.2 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2.6 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 0.5 pikë përqindje.

Sipas të dhënave, Në muajin Nëntor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rënien më të madhe të eksporteve, në krahasim me nëntorin e një viti më parë janë Italia me 16.7%, Kosova me 17.7% dhe Greqia me 3.0%. Ndërkohë, vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritje më të madhe, është Zvicra me 8 herë.

Nga ana tjetër, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë Italia me 15.2%, Turqia me 36.2% dhe Greqia me 0.3%, ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kina me 24.4%, Gjermania me 6.7% dhe SHBA me 39.7%.

Xhorxhina Deda/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat