Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2024, 12:10

Ekonomia parashikohet në rritje 3 vitet e ardhshëm - Mbështetet tek konsumi dhe investimet. Tregu i punës konsiderohet shqetësim

Nga SCAN TV
Ekonomia parashikohet në rritje 3 vitet e ardhshëm - Mbështetet

Ekonomia shqiptare parashikohet të ketë një trend pozitiv në rritje në vitet  në vijim. Referuar programit buxhetor afatmesëm 2025-2027, të botuar në Fletoren Zyrtare, viti 2024 parashikohet të mbyllet  me një rritje ekonomike  në nivelin 3.7% të Prodhimit të Brendshëm, edhe pse institucionet e huaja financiare e kanë projektuar në 3.3%, ndërsa përgjatë periudhës afatmesme 3 vjeçare rritja vlerësohet në mesatarisht 3.9 %. Viti më i mirë parashihet 2026, me një rritje në nivelin 4%.

Ministria e Financave parashikon se në periudhën afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet.

Konsumi privat është shtylla kryesore ku mbështetet rritja ekonomike, stimuluar nga rritja e besimit të konsumatorit dhe përmirësimi i tregut të punës. Sipas dokumentit, këto dy elementë do të transmetohen në rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, veçanërisht pas rikthimit në nivele normale të inflacionit i cili pritet të ndodhë gradualisht brenda këtij viti.

Nga ana tjetër rritja graduale e investimeve mbështetet në shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve të prodhimit dhe lehtësimin e huadhënies.  Dokumenti parashikon që të gjithë sektorët e ekonomisë do të vijojnë të rriten në të njëjtin trend të mesatares së tyre historike, ndërsa problematik konsiderohet tregu i punës, ku emigracioni, pritet të ketë efekte shtrënguese si në ofertën për punë ashtu edhe në shifrat e punësimit përgjatë tre viteve të ardhshme.

Sektori i shërbimeve pritet që të kontribuojë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë.  Qeveria parashikon gjithashtu reduktim të mëtejshëm të borxhit publik në afatmesëm nga 58.9% të PBB që arriti në vitin 2023.

Konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektivi themelor i politikës fiskale për periudhën afatmesme 2025-2027, në funksion të sigurimit të stabilitetit ekonomik të vendit.

Nga ana tjetër synohet të ruhet një raport i shëndetshëm midis shpenzimeve buxhetore korrente dhe kapitale, ku  investimet publike për 3 vitet e  ardhshme targetohen mesatarisht në rreth 4.8% të PBB për çdo vit buxhetor.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 3 Korrik

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan blihet sot me 92.7 lekë dhe shitet me 93.7 lekë sikurse edhe një ditë më parë sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha europiane gjithashtu......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat