Bota Postuar më 26 Tetor 2023, 22:00

Ekonomia amerikane rritet me 4.9% në T3 - BQE nuk ndryshon normën bazë, Banka e Turqisë e rrit në 35%

Nga SCAN TV
Ekonomia amerikane rritet me 4.9% në T3 - BQE nuk ndryshon normën

Dollari amerikan po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, ndërsa ka zgjeruar fitimet në orët e pasdites, menjëherë pas publikimit të të dhënave mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në SHBA, gjatë tremujorit të tretë të vitit.

Ekonomia amerikane u rrit me 4.9% në periudhën Korrik-Shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 2.1% që ishte rritja në tremujorin e dytë. Ekonomistët parashikonin një rritje prej 4.7%.

Ekonomia më e madhe në botë është mbështetur nga shpenzimet konsumatore, nga eksportet, investimet dhe shpenzimet e qeverisë. Të dhënat e publikuara të mërkurën treguan se shitjet e shtëpive të reja në SHBA u rritën në nivelin më të lartë në 19 muaj në shtator, pasi çmimi mesatar vjetor i shtëpive ra me hapin më të shpejtë që nga viti 2009.

Ndërkohë, Banka Qendrore Europiane e mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar në 4%, në takimin e zhvilluar në Athinë. Në fokus të tregjeve ka qënë edhe Banka Qendrore e Turqisë, e cila e rriti normën bazë të interesit me 500 pikë bazë, në totalin e 35%, në përpjekje për të luftuar inflacionin shumë të lartë.

Ky vendim ishte në linjë edhe me parashikimet e analistëve. Banka qendrore tha se rritja e çmimeve ishte më e fortë se sa pritej në tremujorin e tretë dhe shtrëngimi monetar është i nevojshëm për të ankoruar pritjet e inflacionit dhe të kontrollojë përkeqësimin e sjelljes së çmimeve.

Ekonomia e Turqisë është goditur në disa fronte në vitet e fundit. Inflacioni parashikohet të arrijë pak më shumë se 60% deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që lira turke ka rënë me shpejtësi, duke i bërë importet më të shtrenjta.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat