Europa Postuar më 24 Prill 2023, 11:00

EEA paralajmëron: Ndotja e ajrit po vret 1200 fëmijë dhe adoleshentë në Europë çdo vit!

Nga SCAN TV
EEA paralajmëron: Ndotja e ajrit po vret 1200 fëmijë dhe

Ndotja e ajrit vret më shumë se 1200 fëmijë dhe adoleshentë në vit në Europë, sipas një raporti të publikuar nga Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) të hënën dhe gjithashtu rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjes më vonë në jetë.

Pavarësisht përmirësimeve të bëra në vitet e fundit, niveli i ndotësve kryesorë të ajrit në shumë vende europiane mbetet “mbi nivelet” e udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), paralajmëron raporti. Europa Qendrore-Lindore dhe Italia janë veçanërisht të prekura rëndë.

Pse të rinjtë janë kaq të prekshëm nga ndotja e ajrit?

Fëmijët dhe adoleshentët janë veçanërisht të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit, sepse trupi dhe sistemi i tyre imunitar janë ende në zhvillim. Ekspozimi ndaj dioksidit të azotit dhe ozonit në afat të shkurtër, dhe grimcave të imta - të njohura edhe si PM 2.5 - në afat të gjatë mund të ndikojë në funksionin dhe zhvillimin e mushkërive të fëmijëve. Kjo mund të çojë në sëmundje të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare, duke përfshirë astmën, e cila prek 9% të të rinjve në Europë.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë lidhet gjithashtu me peshën e ulët të lindjes dhe rrezikun e lindjes së parakohshme. Raporti vlerëson se ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1200 vdekje të parakohshme në vit në mesin e atyre nën moshën 18 vjeç në 32 vendet anëtare të EEA, të cilat nuk përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën apo Ukrainën.

Edhe pse ky numër është ende i ulët në krahasim me vdekjet e përgjithshme nga ndotja e ajrit, e cila u vlerësua në 311,000 në vitin 2021, ndikimi i vdekjeve ose sëmundjeve kronike në jetën e hershme konsiderohet më i madh. Në popullatën e gjerë, sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru janë shkaqet më të zakonshme të vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit, të ndjekura nga sëmundjet e mushkërive dhe kanceri i mushkërive.

Sa e keqe është ndotja e ajrit në Europë?

Në vitin 2021, më shumë se 90 % e popullsisë urbane të BE-së ishte e ekspozuar ndaj niveleve të dëmshme të ndotjes së ajrit, thotë raporti. Ekspozimi ndaj PM 2.5 - ndotësi më i dëmshëm për shëndetin e njeriut - ishte edhe më i lartë në 97 %. Grimcat e imëta janë shkaku kryesor i goditjes në tru, kancerit dhe sëmundjeve të frymëmarrjes.

Të dhënat tregojnë se nivelet e PM 2.5 janë më të këqijat në Evropën Qendrore-Lindore dhe Italinë, kryesisht për shkak të djegies së lëndëve djegëse të ngurta si qymyri në shtëpi dhe industri. Zonat që mendohet se kanë cilësi "shumë të dobët" të ajrit përfshijnë Piotrków Trybunalski dhe Nowy Sacz në Poloni, Slavonski Brod në Kroaci dhe Kremona në Itali.

Monitorimi tregoi se nivelet e ozonit dhe dioksidit të azotit tejkaluan udhëzimet e OBSH-së në të gjitha vendet, ndërsa nivelet më të larta të ozonit u panë në rajonin e Mesdheut dhe Europën Qendrore. Faro në Portugali dhe Umeå dhe Uppsala në Suedi u renditën si qytetet më të pastra europiane me nivelet mesatare më të ulëta të PM 2.5.

Si mund të reduktojmë dëmet nga ndotja e ajrit?

Pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër, Plani i Veprimit për Zero Ndotje të BE-së synon të kufizojë emetimet dhe të ulë ndotjen e ajrit në të gjithë bllokun. Deri në vitin 2030, ai synon të zvogëlojë numrin e vdekjeve të lidhura me PM 2.5 me 55% krahasuar me nivelet e vitit 2005.

Por derisa të reduktohet në nivele të sigurta, përmirësimi i cilësisë së ajrit përreth shkollave mund të ndihmojë në reduktimin e dëmtimit të fëmijëve. Kjo mund të përfshijë përmirësimin e infrastrukturës së çiklizmit dhe vendosjen e ndalimeve të trafikut ose kufizimeve të shpejtësisë kur fëmijët janë duke udhëtuar për në shkollë ose duke luajtur sporte në natyrë.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 24 Prill

Si ka nisur kjo javë për valutat e huaja?!

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë në zbritje teksa është blerë sot me 101.4 lekë dhe është shitur me 102.4 lekë duke qëndruar sërish në kuota negative në......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat