Shqipëria Postuar më 2 Maj 2024, 13:09

E ardhmja është në shina! - Trena elektrikë në Shqipëri e Kosovë. Si vendet e Ballkanit po modernizojnë ndërlidhjen hekurudhore?!

Nga SCAN TV
E ardhmja është në shina! - Trena elektrikë në

Ndërtimi i një rrjeti hekurudhor modern, që lidh qytetet kryesore të rajonit të Ballkanit, është vendosur tashmë si një prioritet kryesor.  Për të arritur këtë qëllim, zyrtarët e vendeve të Ballkanit kanë firmosur pak vite më parë edhe një memorandum, ku angazhohen për të investuar në ndërtimin e një rrjeti transporti më të sigurt, por edhe më miqësor me mjedisin, sicc është hekurudha.

Por për të qenë edhe më miqësor ndaj mjedisit, projektet e reja hekurudhore parashikojnë që në shinat e vendeve të Ballkanit, të qarkullojnë trena elektrikë që nuk krijojnë ndotje, dhe jo me trena që konsumojnë lëndë djegëse.

Por si po avancojnë vendet e Ballkanit në këtë projekt, jo pak të kushtueshëm?

Përgjatë vitit që lamë pas u ndërmorën hapa konkrete për nisjen e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore rrugore në vend, ku ndër të tjera zhvillime pati edhe në drejtim të transportit hekurudhor. Rrjeti hekurudhor ka nisur si një projekt i madh në Shqipëri, i cili patjetër do të bëjë të mundur të kemi një transport më efiçent dhe gjithashtu të drejtohemi drejt një transporti pa emetime karboni.

Këto projekte shumë të rëndësishme po marrin edhe mbështetje nga Bashkimi Europian në funksion të përmirësimit jo vetëm të rrjetit hekurudhor, por adhe atij rrugor apo edhe infrastrukturën detare. Bashkimi Europian është duke zbatuar strategjinë “Global Gateway”, duke nxitur kështu investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit. Në sektorin e transportit, kjo strategji promovon investime në infrastrukturë që krijojnë mënyra transporti të qëndrueshme, të zgjuara, elastike, gjithëpërfshirëse dhe të sigurta, shumë të rëndësishme për zhvillimin e një vendi.

Prej vitesh sistemi hekurudhor në Shqipëri ka qenë në gjendje të amortizuar. Rrjeti hekurudhor në Shqipëri është ndërtuar në periudhën 1946 – 1986, kryesisht për t’i shërbyer industrisë. Vitin e fundit janë ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar hekurudhën dhe shumë projekte të reja pritet të marrin jetë.

Ndërkohë që është duke u ndërtuar linja Tiranë – Rinas – Durrës, një ndër projektet më të rëndësishme, i cili është afër nisjes së zbatimit është edhe rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë.

Komisioni Europian akordoi një grant prej 62 milionë euro për këtë projekt, ndërkohë që vlera totale e investimit përllogaritet në 120.5 mln euro. Në këtë linjë pritet të operojë një tren elektrik, i cili nuk do të ketë emetime karboni. Ky tren do të ketë një shpejtësi nga kjo pikë deri në Durrës 120 km/h, ndërkohë që nga kjo pikë deri në Tiranë do të variojë nga 50-80 km/h, pra do të jetë me një shpejtësi të moderuar.

Segmenti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e linjës hekurudhore Durrës–Pogradec, që parashikohet të lidhet me Maqedoninë e Veriut, në fshatin Lin. Ai është pjesë e korridorit VIII hekurudhor, që pak kohë më parë u përfshi në rrjetin kryesor të transporit transeuropian, i njohur si TEN T, duke i dhënë prioritet financimit të tij.

Rehabilitimi i korridorit VIII hekurudhor, që nis në Durrës dhe përfundon në Pogradec kërkon 400 mln euro. Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor ka bërë një vlerësim të kostove totale dhe ecurisë së projektit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rikonfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për këtë projekt infrastrukturor. Sipas dokumentit të publikuar, për të 2 shtetet nevojitet një vlerë investimi prej 2 mld euro, nga të cilat 1.6 mld euro për pjesën maqedonase.

Ndërkaq, Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor rendit një sërë rezultatesh dhe përfitimesh që do të vijnë nga rehabilitimi apo ndërtimi i Korridorit VIII hekurudhor, që do të lidhë portet e Italisë, me Bullgarinë në portet e Varnës dhe Burgasit.

Por pse është i rëndësishëm elektrifikimi i rrjetit hekurudhor?

Pra, mund të themi se elektrifikimi i linjës Durrës–Rogozhinë në Shqipëri do të sigurojë transport më të pastër mjedisor, duke reduktuar varësinë nga burimet tradicionale të energjisë.

Nga ana tjetër, linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, pritet t'i shtohe edhe segmenti Vorë-Hani i Hotit, duke krijuar në këtë mënyrë një lidhje hekurudhore për pasagjerë dhe mallra për në Malin e Zi dhe më tutje.

Jo vetëm Shqipëria, por edhe rajoni po punon në drejtim të modernizimit të rrjetit hekurudhor. Mbështetja për projektet e infrastrukturës hekurudhore në Ballkanin Perëndimor vazhdon të forcohet brenda Bashkimit Europian.

Modernizimi i korridoreve hekurudhore në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe në vende të tjera jo vetëm që rrit integrimin e Ballkanit Perëndimor në rrjetin paneuropian, por gjithashtu kontribuon në stabilitetin e sistemit të transportit si dhe rrit efikasitetin e transportit ne rajon.

Malit të Zi i jepen 226.5 milionë euro për modernizimin e linjës Bar-Golubovci, pjesë e korridorit trans-evropian TEN-T. Ndërkohë, infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë sh po fillon një program gjithëpërfshirës për të përmirësuar qeverisjen e saj korporative dhe performancën operacionale, të mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe donatorë.

Nga ana tjetër, edhe Kosova po punon në drejtim të përmirësismit të rrjetit hekurudhor. Pak ditë më parë, “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës” ka hapur tender për përmirësimin e linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Peje dhe Klinë-Prizren.

Linjat hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë dhe Klinë-Prizren kanë qenë një bartës i zhvillimit ekonomik, duke i shërbyer në këtë mënyrë transportit të brendshëm dhe ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Në këtë linjë hekurudhore ka qarkulluar një numër i madh i trenave të udhëtarëve dhe mallrave, duke lidhur kështu Pejën e Prizrenin dhe pjesët tjera të Kosovës jugperëndimore me nyjën qendrore hekurudhore të Fushë Kosovës.

Modernizimi i hekurudhave është pjesë e përpjekjeve të BE-së në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, plani i BE-së për ta bërë ekonominë e saj të qëndrueshme duke arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. Një nga elementët kryesorë të planit është krijimi i mjeteve të transportit më të pastër dhe më të shëndetshëm, pasi sektori i transportit është aktualisht përgjegjës për rreth 25% të emetimeve të gazeve serrë të Bashkimit.

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane kërkon një reduktim prej 90% në emetimet e transportit deri në vitin 2050. Me vetëm 0.4% pjesë të emetimeve të gazeve serrë në transportin total të BE-së, hekurudhat lëshojnë shumë më pak CO2 sesa udhëtimet ekuivalente me rrugë ose ajrore dhe janë një nga më të qëndrueshme, inovative. dhe mënyrat më të sigurta të transportit në BE. Krahasuar me BE-në ku 75% e totalit të kilometrave të trenave udhëtohen me trena me energji elektrike, në Ballkanin Perëndimor më pak se një e treta e binarëve hekurudhor është elektrizuar, por e ardhmja duket premtuese.

Xhorxhina Deda/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat