Europa Postuar më 31 Tetor 2022, 14:57

Dyshime sabotimi në tubacionin Norvegji-Britani / Moska mund të synojë tubacionin Langeled, që furnizon Britaninë me 1/5 e gazit

Nga SCAN TV
Dyshime sabotimi në tubacionin Norvegji-Britani / Moska mund të

Rusia po planifikon të sabotojë një tubacion kryesor gazi midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë për të ndëshkuar Britaninë për mbështetjen e saj për Ukrainën, shkruan në një analizë e përditshmja britanike Daily Mail. Burime të larta ushtarake dhe të inteligjencës thanë se Moska mund të përpiqet të sabotojë tubacionin Langeled që siguron një të pestën e kërkesës për gaz të vendit.

Një seri rrjedhjesh të pashpjegueshme në lidhjet energjetike nën Detin Baltik, duke përfshirë projektet e diskutueshme të Gjermanisë Nord Stream, besohet të jenë vepër e rusëve. Çdo goditje ndaj Langeled do të ishte një shtrëngim i mëtejshëm i furnizimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë.

Qeveria britanike dhe ajo norvegjeze janë shprehur më parë për një kërcënim të përgjithshëm ndaj infrastrukturës energjetike të Detit të Veriut. Por, zyrtarët në Oslo dhe Londër kanë refuzuar të flasin për objektiva specifike. Një zyrtar i NATO, i cili punon drejtpërdrejt me kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike, tha se tubacioni Langeled 725 milje i gjatë është një "objektiv i dukshëm", për shkak se Norvegjia është një lidhje jetike e gazit për Mbretërinë e Bashkuar dhe Europën.

Sipas një zyrtari të lartë norvegjez, Oslo beson se Kremlini po shënjestron tubacionin "për të thyer kohezionin midis aleatëve perëndimorë të Ukrainës dhe frenuar rrjedhën e gazit".

Britania ka dërguar luftanijen Somerset të Marinës Mbretërore për të patrulluar zonën, ndërsa Norvegjia ka dërguar një nga katër fregatat e saj. Të dyja anijet u dërguan në Detin e Veriut pas sulmeve në tubacionet Nord Stream, dy lidhjet kryesore të gazit me Europën që drejtohen nga gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom.

Avionët e mbikëqyrjes detare po mbajnë nën vëzhgim asetet e naftës dhe gazit atje së bashku me homologët e tyre nga forcat ajrore norvegjeze. Dronët e paidentifikuar gjithashtu kanë filluar të shfaqen në qiell mbi instalimet kryesore të energjisë.

Norvegjia është tani furnizuesi më i madh i gazit në Europë, pasi Gazprom e mbështetur nga Kremlini uli dërgesat në kontinent. Sipas analistëve të tregut, vlera e gazit norvegjez në Europë nuk ka qenë kurrë më e lartë. Si një objektiv strategjik për sabotim, tubacionet norvegjeze të gazit janë ndoshta me vlerën më të lartë në Europë.

Operatori shtetëror norvegjez Gassco, ka qenë në gjendjen më të lartë të sigurisë që nga muaji i kaluar për tubacionin Langeled.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat