Shqipëria Postuar më 5 Mars 2024, 13:06

DRSHTRR Berat me sistem fotovoltaik: Mbulon 40% të nevojës vjetore për energji elektrike!

Nga SCAN TV
DRSHTRR Berat me sistem fotovoltaik: Mbulon 40% të nevojës vjetore

Në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Berat ka përfunduar investimi për instalimin e sistemit fotovoltaik, i cili mbulon rreth 40% të nevojës vjetore për energji elektrike për këtë drejtori. Një nisëm e cila do të ndikojë në uljen e kostove, por gjithashtu edhe në reduktimin e ndotjes së mjedisit.

Ky projekti i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ka nisur nga Drejtoria Rajonale e Beratit, ndërsa gjithë këtij viti do të shtrihet edhe në Drejtorinë e Tiranës dhe atë të Durrësit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të DPSHTRR, Ilir Mëngra vizituan nga afër investimin e realizuar në DRSHTRR, Beratit, e cila tashmë ka edhe një godinë të re e ndërtuar sipas të gjitha parimeve të efiçencës së energjisë.

“DPSHTRR ka nisur një program i cili nisë nga Berati, por do të zhvillohet edhe në Tiranë dhe Durrës për vendosjen e paneleve fotovoltaike të cilat përdoren për konsumin e vetë ndërmarrjes. Republika e Shqipërisë ka prej kohësh një kuadër ligjor i cili lejon të gjitha ato entitete, qofshin shtetërore apo private, që të ndërtojnë parqet e tyre fotovoltaike, brenda territoreve, ku ata operojnë dhe këto të shërbejnë për të plotësuar nevojat. Sigurisht një park fotovoltaik nuk plotëson 100% të nevojave, duke qenë se prodhon vetëm gjatës kohës kur ka diell, por nga ana tjetër ka dhe një instrument shumë të mirë që është ai i shkëmbimit të energjisë me OSHEE”, deklaroi ministrja Balluku.

Nga ana e tij, drejtori Mëngra tha se projekti është parashikuar që ti shlyejë kostot e veta brenda një periudhe kohore 6 vjeçare. “Janë montuar 206 panele fotovoltaike të cilat të gjitha së bashku realizojmë shkëmbimin e energjisë diellore në energji elektrike. Panelet lidhen me një inverter i cili bën shkëmbimin nga energji e prodhuar nga panelet në energji alternative për nevojat e rrjetit”, tha Mëngra.

DRSHTRR Berat renditet e 9-ta në rang kombëtar për numrin e shërbimeve të ofruara. Gjatë vitit 2023 kjo drejtori ka ofruar 130.540 shërbime për bashkitë Berat, Kuçovë, Dimal dhe Skrapar.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat