Shqipëria Postuar më 3 November 2026, 10:12

Drejtësia drejt zgjerimit masiv - Propozohen mbi 500 vende të reja pune

Nga SCAN TV

Drejtësia drejt zgjerimit masiv - Propozohen mbi 500 vende të reja

Sistemi gjyqësor shqiptar pritet t'i nënshtrohet një zgjerimi të konsiderueshëm të personelit gjatë katër viteve të ardhshme, me krijimin e 503 pozicioneve të reja të punës, nga të cilat 438 të përhershme dhe 65 të përkohshme. Propozimi është pjesë e studimit të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor më 29 tetor 2026, i cili synon rritjen e kapaciteteve të gjykatave dhe reduktimin e stokut të çështjeve të prapambetura. Zbatimi parashikohet të realizohet gradualisht gjatë periudhës 2027–2030, në varësi të financimit, kandidatëve dhe infrastrukturës.

Sipas dokumentit, zgjerimi përfshin 102 vende të reja të përhershme për gjyqtarë dhe të paktën 336 pozicione për personelin mbështetës, nga të cilat 102 ndihmës ligjorë dhe 234 nëpunës civilë gjyqësorë. Paralelisht, propozohet krijimi i një kapaciteti të përkohshëm prej 9 gjyqtarësh dhe 56 punonjësish mbështetës në Gjykatën e Lartë. Në këtë mënyrë, organika e përhershme e gjyqtarëve do të rritej nga 417 në 519 vende, ndërsa gjatë aktivizimit të paketës së përkohshme mund të arrinte në 528.

Nevoja për zgjerimin e sistemit lidhet me numrin e lartë të dosjeve të prapambetura dhe kohën e gjatë të trajtimit të tyre. Sipas të dhënave të vitit 2025, vetëm Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm kishte një stok prej 45,876 çështjesh të papërfunduara, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit numëronte 24,530 dosje. Në Gjykatën e Lartë rezultonin edhe 16,445 çështje të tjera, duke e çuar në 86,851 numrin e dosjeve në pritje vetëm në këto tri gjykata.

Veçanërisht problematike paraqitet situata në Apelin Administrativ, ku koha teorike e përpunimit të çështjeve, e llogaritur sipas treguesve europianë të eficiencës gjyqësore, arrin në 2,634 ditë, ose rreth 7.2 vite. Në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, ky tregues arrin në 1,507 ditë, ekuivalente me 4.1 vite, ndërsa në Gjykatën e Lartë në 873 ditë, ose rreth 2.4 vite. Këto shifra nuk përfaqësojnë kohëzgjatjen reale të çdo procesi gjyqësor, por kohën teorike që do të nevojitej për përpunimin e stokut me ritmin aktual të përfundimit të çështjeve.

Objektivi i reformës është që deri në vitin 2030 të frenohet krijimi i dosjeve të reja të prapambetura dhe të reduktohet gradualisht stoku ekzistues, veçanërisht për çështjet që presin prej më shumë se tre apo pesë vitesh. Zgjerimi i propozuar i sistemit gjyqësor me 503 pozicione të reja pune do t'i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 1.22 miliardë lekë në vit. Sipas përllogaritjeve zyrtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kjo shumë mbulon vetëm shpenzimet e personelit, ndërsa investimet në infrastrukturë dhe teknologji do të kërkojnë financime shtesë. Propozimi është aktualisht në fazën e konsultimit me institucionet përgjegjëse dhe publikun, proces që përfundon më 30 nëntor 2026. Hapja konkrete e vendeve të punës do të kërkojë vendimmarrjen përkatëse dhe zbatimin me faza të planit të zgjerimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat