Shqipëria Postuar më 3 November 2026, 10:11

9.94 mld lekë për portin e ri - Planifikohet financimi i Porto Romanos, vlera totale e projektit 47.18 mld lekë 

Nga Ola Mitre

9.94 mld lekë për portin e ri - Planifikohet financimi i Porto

Gati 9.95 mld lekë parashikohen në projektbuxhetin e vitit 2027 për fazën e parë të ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano. Investimi përfshihet në listën e projekteve me financim të brendshëm, ndërkohë që procedura e mëparshme tenderuese u përball me tërheqjen e ofertuesit.

Sipas tabelës së investimeve publike, projekti ka një vlerë totale prej rreth 47.18 mld lekë dhe klasifikohet si investim i ri, me fillim financimi në vitin 2027. Për vitin 2028 parashikohen 7.86 mld lekë dhe për vitin 2029 rreth 5.96 mld lekë. Ndërkohë, rreth 23.47 mld lekë mbeten për t’u paguar pas vitit 2029, duke e shtrirë financimin përtej periudhës së ardhshme trevjeçare.

Parashikimi i fondeve vjen pas vështirësive për finalizimin e garës për ndërtimin e portit. Tenderi u hap fillimisht në korrik të vitit 2024 dhe, pasi nuk u finalizua me sukses, u rishpall më 24 dhjetor të po atij viti. Fondi limit ishte 39.32 mld lekë, apo rreth 400 milionë euro, për fazën e parë të projektit, që përfshinte zhvillimin e një terminali kontejnerësh.

Por gjatë vitit 2026, ofertuesi u tërhoq. Sipas shpjegimit zyrtar, konsorciumi e argumentoi vendimin me rritjen e kostove të përgjithshme të ndërtimit. Nga ana tjetër, u deklarua se do të ndiqej një skenar alternativ për realizimin e investimit.

Porti i ri në Porto Romano parashikohet të ndërtohet me fonde të buxhetit të shtetit dhe synon të shërbejë si qendër logjistike për transportin detar dhe ngarkesat tranzit të rajonit. Fondet e planifikuara për vitin e ardhshëm tregojnë vijimin e mbështetjes buxhetore për projektin, ndërsa realizimi i tij mbetet i lidhur me përfundimin e procedurave të prokurimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat