Europa Postuar më 8 Shkurt 2023, 10:45

Deficit rekord prej 25 miliard dollarësh në Rusi - Sanksionet: Të ardhurat nga nafta dhe gazi ranë me 46% në janar

Nga SCAN TV
Deficit rekord prej 25 miliard dollarësh në Rusi - Sanksionet: Të

Pasojat nga sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës për luftën në Ukrainë, kanë filluar të kenë ndikim në tablonë fiskale të Rusisë pasi të ardhurat e saj vazhdojnë të bien dhe shpenzimet e mbrojtjes rriten, duke zgjeruar deficitin buxhetor. Në janar, Rusia regjistroi një deficit fiskal prej 1.76 trilionë rubla, një shumë e barabartë me gati 25 miliardë dollarë, përkatësisht 24.78 miliardë dollarë, që ishte më e larta për muajin e dhënë, të paktën që nga viti 1998. Arsyeja është, natyrisht, rënia e të ardhurave të Moskës nga eksportet e naftës dhe gazit natyror.

Të ardhurat nga nafta dhe gazi ranë me 46% krahasuar me janarin e kaluar. Ndërkohë, gjatë të njëjtës periudhë shpenzimet publike u rritën me 59% pasi Moska vendosi të rrisë ndjeshëm shpenzimet në sektorin e mbrojtjes për shkak të luftës në Ukrainë. Sipas një deklarate të Ministrisë së Financave të Rusisë, arsyeja ishte rënia e çmimeve të naftës së papërpunuar, si dhe rënia e ndjeshme e eksporteve të gazit natyror. Rënia e të ardhurave nga nafta dhe gazi është rezultat i sanksioneve perëndimore, të cilat tani përfshijnë një ndalim të Bashkimit Europian për shumicën e importeve nga deti të naftës së papërpunuar dhe karburanteve të rafinuara, si dhe një kufi çmimi nga G7.

Në janar, çmimi i naftës së papërpunuar Urale ishte mesatarisht 49.48 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga dhjetori 2020, por mbi të gjitha ai çmim ishte shumë më poshtë se 70 dollarë për fuçi që pritej nga Moska në buxhetin e saj. Sa i përket Brent, ai u zhvendos mesatarisht në 77.82 dollarë për fuçi. Në të njëjtën kohë, megjithatë, të ardhurat jo-hidrokarbure të Rusisë ranë gjithashtu me 28% në janar, me ministrinë e financave që ia atribuon arsyen, pjesërisht, një ndryshimi në rregullat e TVSH-së.

Nga ana e saj, Ministria ruse e Financave këmbëngul se ajo mbetet në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e saj fiskalë për vitin aktual. Megjithatë, sipas Natalya Lavrova, një ekonomiste kryesore në bankën e investimeve BCS Global Markets, është hera e parë në historinë moderne të Rusisë që Moska ka rritur shpenzimet në mënyrë kaq drastike, edhe pse të ardhurat e saj po bien me shpejtësi. Duke folur për Financial Times, ajo madje theksoi se “hera e fundit që u pa diçka të ngjashme ishte në vitin 2015 kur shpenzimet për mbrojtjen kombëtare u rritën në mënyrë dramatike”. Gjithësesi ajo shtoi se ndryshimi mes ditës së sotme dhe vitit 2015 është se atëherë nuk kishte një rënie kaq të ndjeshme të të hyrave shtetërore.

Megjithatë, për të rimbushur të ardhurat e saj dhe për të mbuluar hendekun e krijuar në eksportet e saj nga embargoja e BE-së, Moska i është drejtuar tregjeve të tjera, kryesisht Kinës dhe Indisë. Në veçanti, në janar 70% e eksporteve ruse të naftës iu shitën Indisë, e cila është konsumatori i tretë më i madh i naftës në botë dhe përbën 30% të konsumit global. Kështu, India është bërë klienti numër një i Moskës për sa i përket naftës së papërpunuar Urale, të cilën ajo e blen, natyrisht, me një zbritje të madhe. Në dhjetor, importet e saj të naftës u rritën në nivelet më të larta në pesë muaj, pasi ajo nxitoi të përfitonte nga zbritjet e thella dhe të blinte sasi të mëdha të naftës së papërpunuar ruse. Përveç kësaj, ministria ruse e financave tha se shiti 3.6 ton ar si dhe 2.3 miliardë juanë nga fondi sovran i pasurisë në janar për të ndihmuar në mbulimin e deficitit. Shumica e rezervave ndërkombëtare të Rusisë janë “ngrirë” për shkak të sanksioneve.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat