Europa Postuar më 10 Korrik 2024, 12:23

BYD po ndërton një fabrikë në Turqi - Industria kineze e automjeteve elektrike do investojë 1 miliard dollarë

Nga SCAN TV
BYD po ndërton një fabrikë në Turqi - Industria kineze e

Dorina Kurtaj /SCAN

Ndërsa Brukseli vendos tarifa ndëshkuese për automjetet elektrike nga Kina, Turqia ka nënshkruar një marrëveshje të madhe investimi me BYD Group të Kinës, prodhuesi më i madh në botë i automjeteve elektrike. Konkretisht, prodhuesi kinez i automjeteve do të ndërtojë një fabrikë të prodhimit të makinave elektrike dhe hibride si dhe një qendër kërkimi dhe zhvillimi të produkteve me një kapacitet vjetor prej 150.000 automjetesh në Turqi, duke investuar afro 1 miliard dollarë. Parashikohet që në objektet e sipërpërmendura t'u ofrohet punësim i menjëhershëm deri në 5 mijë persona.

Fabrika e re do të përdoret për të përmirësuar aksesin e gjigantit kinez në tregun e BE-së, sepse Turqia ka hyrë në një marrëveshje bashkimi doganor. BE vendosi tarifa të përkohshme për automjetet elektrike nga Kina, duke goditur BYD me një tarifë shtesë prej 17.4% nga norma ekzistuese prej 10%. Megjithatë, përveç tregut europian, siç raporton Bloomberg, është edhe tregu i brendshëm, të cilit do t'i shërbejë fabrika e re.

Vitin e kaluar makinat elektrike përbënin 7.5% të shitjeve totale në Turqi, një vend me një popullsi prej afro 90 milionë banorësh. Për më tepër, Ankaraja njoftoi se po tërhiqte planet që kishte njoftuar një muaj më parë për të vendosur një tarifë shtesë prej 40% për të gjitha automjetet nga Kina, duke përmendur përpjekjet e saj për të ofruar stimuj për investime. Grupi BYD ka shitjet më të larta në Kinë, e ka selinë në Shenzhen dhe ka si objektiv të sjellë automjetet e tij elektrike të përballueshme në Kontinentin e Vjetër.

Prodhuesi kinez i automobilave hapi fabrikën e tij të parë të automjeteve elektrike të Azisë Juglindore në Tajlandë, ka blerë gjithashtu një ish-fabrikë Ford në Brazil, po kërkon vendndodhje për një tjetër në Meksikë dhe e para në Europë është në Hungari dhe në ndërtim e sipër. Më në fund, si pjesë e kësaj fushate marketingu agresive, BYD mori pozicionin e Volksvagen si sponsori kryesor i Kampionatit Europian të Futbollit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat