Europa Postuar më 25 Prill 2024, 10:52

Brukseli përgatitet për rritjen e ekstremit të djathtë- Sondazhi me qytetarët europianë: BE nuk na dëgjon!

Nga SCAN TV
Brukseli përgatitet për rritjen e ekstremit të djathtë-

Në një kohë kur mijëra kandidatë për zgjedhjet europiane kërkojnë votat e miliona votuesve, e djathta ekstreme po përpiqet të fitojë sa më shumë mandate në Parlamentin Europian, falë qeverisjes së re ekonomike që po përgatit BE.

Në prill 2023, Komisioni publikoi tre propozime për rishikimin e kuadrit të qeverisjes ekonomike të BE-së: një rregullore për të zëvendësuar krahun aktual parandalues të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes. Gjithashtu dhe një direktivë amenduese të Këshillit për të forcuar rolin e institucioneve të pavarura fiskale. Megjithatë, rregullat e arta të deficitit 3% ndaj PBB-së dhe borxhit 60% ndaj PBB-së nuk do të ndryshojnë.

Pra, ndërsa, sipas një sondazhi me 62.000 europianë, njerëzit kujdesen për koston e jetesës, punës, shëndetit, strehimit, mjedisit dhe arsimit, nëse eurodeputetët votojnë për propozimet e Komisionit, kjo do të thotë se BE-ja nuk do të jetë në gjendje të ndërmarrë veprime për çështjet konkrete që shqetësojnë qytetarët.

Kjo sipas një studimi të ri nga ‘Fondacioni i Ekonomisë së Re’ në emër të Konfederatës së Sindikatave Evropiane - ETUC, organizata më e madhe e sindikatave që përfaqëson punëtorët në nivel europian. Analistë të shumtë shprehen se nëse rregullat “të vjetruara” të BE-së nuk anulohen, e djathta ekstreme do të forcohet.

Vetë Komisioni thotë se investimi në infrastrukturën sociale të Europës është tashmë 192 miliardë euro më pak, në vit, se sa kërkohet për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Konkretisht, investimet duhet të rriten çdo vit me 120 miliardë euro në shëndetësi, 57 miliardë euro në banesa të përballueshme dhe 15 miliardë euro në arsim.

Sipas rregullave, 18 shtete anëtare, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Spanjën dhe Poloninë, nuk do të jenë në gjendje të përmbushin nivelin minimal të investimeve të kërkuara në shëndetësi, strehim dhe arsim. Në Bruksel, aktualisht po përgatiten për rritjen e së djathtës ekstreme falë masave të reja shtrënguese

Votimi i masave të reja shtrënguese dy muaj para zgjedhjeve europiane, sipas ekspertëve është një recetë fatkeqësie. Ata rekomandojnë një alternativë si rritja e investimeve publike që krijon vende pune cilësore dhe stimulon ekonominë, duke lejuar vendet anëtare të reduktojnë borxhin e tyre përmes rritjes.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat