Europa Postuar më 19 Prill 2023, 10:50

Brukseli forcon regjimin për bankat në vështirësi - Plan për një mbrojtje më të mirë të taksapaguesve

Nga SCAN TV
Brukseli forcon regjimin për bankat në vështirësi - Plan

Brukseli zbulon planet për të mbrojtur më mirë taksapaguesit nga falimentimi i bankave duke forcuar rregullat e tij për huadhënësit në vështirësi. Komisioni Europian është në procesin e finalizimit të projektligjeve që e bëjnë më të lehtë transferimin e parave të depozituesve tek institucionet e shëndetshme nga huadhënësit me probleme, ose mbylljen e një banke problematike pa tërhequr paratë e taksapaguesve.

Drafti, gjithashtu do ta bënte më të vështirë për qeveritë dorëzimin e parave të gatshme "paraprake" te huadhënësit e ‘bllokuar’, duke shmangur një boshllëk që u vendos nga Italia në 2017 për të injektuar miliarda euro fonde të taksapaguesve në Banca Monte dei Paschi di Siena. Detajet, të cilat janë ende duke u finalizuar nga komisioni dhe mund të ndryshojnë ende, përfaqësojnë një përpjekje për të hequr kompetencat nga vendet anëtare, të cilat kanë zgjidhur vështirësitë e huadhënësve më të vegjël nën regjimet kombëtare, pavarësisht ekzistencës së një kuadri të përbashkët të BE-së për zgjidhjen e problemeve të bankave.

Do të kërkohet gjithashtu që Banka Qendrore Europiane, e cila mbikëqyr huadhënësit më të mëdhenj të eurozonës, ose rregullatorët financiarë kombëtarë, të cilët mbikëqyrin bankat më të vogla, të japin një paralajmërim të hershëm kur një huadhënës është në rrezik falimentimi ose ka gjasa të falimentojë. Drafti thotë se ndryshimet do të siguronin "një zbatim koherent të rregullave në të gjithë shtetet anëtare, duke ofruar një fushë më të mirë loje, duke mbrojtur stabilitetin financiar dhe depozituesit, si dhe duke parandaluar përhapjen dhe reduktimin e përdorimit të parave të taksapaguesve.

Bordi për rezolutën e vetme i BE-së u krijua në 2015 - ën në një përpjekje për të shmangur përdorimin e fondeve të taksapaguesve, siç bënë qeveritë gjatë krizës financiare. Autoriteti pan-Europian ka fuqinë për të imponuar humbje mbi aksionerët dhe zotëruesit më të vegjël të obligacioneve të huadhënësve të falimentuar. Vitin e kaluar, ai mbikëqyri dosjen e falimentimit të degës austriake të Sberbank të Rusisë pasi u godit nga sanksionet e BE-së dhe në vitin 2017 transferoi Banco Popular të Spanjës te rivali i saj më i madh Banco Santander për 1 euro.

Rregullat do të duhet të miratohen nga këshilli i ministrave dhe parlamenti europian dhe mund të përballen me një ‘udhëtim’ të vështirë midis vendeve anëtare. Drafti është një aspekt i përpjekjes më të gjerë të BE-së për të kompletuar Unionin e saj Bankar, i cili ngeci vitin e kaluar në Eurogrup pasi ministrat u përplasën për axhendën e gjerë.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat