Europa Postuar më 19 Prill 2023, 10:33

Befason sërish inflacioni në Britani - Në muajin mars u regjistrua mbi nivelin 10%

Nga SCAN TV
Befason sërish inflacioni në Britani - Në muajin mars u

Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar mbeti papritur në një masë dyshifrore në mars pasi familjet vazhduan të përballeshin me rritjen e faturave të ushqimit dhe energjisë. Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 10.1% vjetore, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave. Kjo është një rënie e lehtë nga kërcimi i papritur në 10.4% në muajin shkurt, i cili theu tre muaj radhazi rënie që nga niveli më i lartë 41-vjeçar i tetorit prej 11.1%. Në bazë mujore, indeksi i çmimeve të konsumit rezultoi 0.8%, në rënie nga 1.1% në muajin shkurt.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit duke përfshirë kostot e banesave u rrit me 8.9% në bazë vjetore, pak më poshtë nga 9.2% në shkurt, por shumë mbi pritshmëritë. Indeksi i Çmimeve të Konsumit bazë, që përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimit, energjisë, alkoolit dhe duhanit, u rrit me 5.7% gjatë 12 muajve, e pandryshuar nga rritja vjetore e shkurtit - gjë që do të jetë një shqetësim për Bankën e Anglisë. Zyra e statistikave bëri të ditur se kontributet më të mëdha në rritje në normën vjetore të inflacionit në mars 2023 erdhën nga strehimi dhe shërbimet shtëpiake, kryesisht nga energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera, si dhe ushqimet dhe pijet joalkoolike.

Ndërsa familjet britanike vazhdojnë të përballen me faturat e larta të ushqimit dhe energjisë, punëtorët në një sërë sektorësh kanë nisur gerba masive në muajt e fundit mes mosmarrëveshjeve mbi pagat dhe kushtet e punës. Ministri i Financave, Jeremy Hunt tha se shifrat e fundit rikonfirmojnë se pse qeveria duhet të vazhdojë përpjekjet për të ulur inflacionin. Ai theksoi se ekzekutivi është aktualisht në rrugën e duhur për ta bërë këtë - me parashikimin e Zyrës Përgjegjëse për Buxhetin dhe se do të përgjysmojë inflacionin këtë vit. Por njëkohësisht do të vazhdojë mbështetja për njerëzit, me vlerë mesatare prej 3.300 paund për familje, financuar përmes taksave të papritura mbi fitimet e energjisë.

Banka e Anglisë muajin e kaluar rriti normat e interesit me 25 pikë bazë në 4.25%, dhe tregtarët po vlerësojnë një probabilitet prej 72% për një rritje të mëtejshme tremujore në takimin e Komitetit të Politikës Monetare më 11 maj. Ekonomistët presin që rënia e lehtë e shifrës totale të muajit mars të pasohet nga një rënie më e madhe në prill, për shkak të efekteve bazë të një rritjeje të çmimeve të energjisë në prill 2022, kur rregullatori i energjisë në Mbretërinë e Bashkuar hoqi kufirin e çmimeve.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat