Bota Postuar më 19 Prill 2023, 10:32

Popullsia në Indi tejkalon atë në Kinë - 2.9 milionë banorë më shumë deri në mes të këtij viti

Nga SCAN TV
Popullsia në Indi tejkalon atë në Kinë - 2.9 milionë

India është në rrugën e duhur për t'u bërë vendi më i populluar në botë, duke kaluar Kinën me pothuajse 3 milion njerëz më shumë në mes të këtij viti. Lajmi konfirmohet nga të dhënat e publikuara nga Kombet e Bashkuara. Të dhënat demografike nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë – UNFPA - "Raporti i Gjendjes së Popullsisë Botërore, 2023" vlerësojnë popullsinë e Indisë në 1.4286 miliardë kundrejt 1.4257 miliardë të Kinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i tretë në këtë renditje, me një popullsi prej 340 milionë banorësh. Të dhënat pasqyrojnë informacionin e disponueshëm që nga shkurti 2023. Ekspertët e popullsisë duke përdorur të dhëna të mëparshme nga OKB-ja kanë parashikuar që India do të kalojë Kinën këtë muaj. Por raporti i fundit nga organizata globale nuk specifikoi një datë se kur do të ndodhte ndryshimi.

Zyrtarët e OKB-së për popullsinë kanë thënë se nuk ishte e mundur të specifikohej një datë për shkak të "pasigurisë" në lidhje me të dhënat që dilnin nga India dhe Kina, veçanërisht pasi regjistrimi i fundit i Indisë u krye në vitin 2011 dhe ai i rradhës që do të duhej të ishte bërë në vitin 2021 ishte vonuar për shkak të pandemisë.

Edhe pse India dhe Kina do të përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së vlerësuar globale prej 8.045 miliardë banorësh, rritja e popullsisë në të dy gjigantët aziatikë është ngadalësuar, me një ritëm shumë më të shpejtë në Kinë sesa në Indi.

Vitin e kaluar, popullsia e Kinës ra për herë të parë në gjashtë dekada, një kthesë historike që pritet të shënojë fillimin e një periudhe të gjatë rënieje të numrit të qytetarëve të saj me pasoja të konsiderueshme për ekonominë e saj dhe atë botërore. Rritja vjetore e popullsisë së Indisë ka qenë mesatarisht 1.2% që nga viti 2011, krahasuar me 1.7% në 10 vitet e mëparshme, sipas të dhënave të qeverisë.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat