Europa Postuar më 18 Nëntor 2023, 10:54

Bonuset e solidaritetit në Greqi - 2.3 milionë qytetarë përfitojnë 352 milionë euro

Nga SCAN TV
Bonuset e solidaritetit në Greqi - 2.3 milionë qytetarë

Gjithsej 2.3 milionë qytetarë grekë do të përfitojnë nga masat e mbështetjes emergjente në vlerën 352 milionë euro që do të jepen në dhjetor. Lajmi u konfirmua nga kryeministri Mitsotakis. Edhe pse ishte një vit elektoral dhe fatkeqësitë natyrore i kushtuan buxhetit, ekonomia ka tejkaluar performancën dhe kjo ka një reflektim në buxhet, sipas ministrit të ekonomisë Kostis Hatzidakis, i cili prezantoi dhe detajet e këtyre masave.

Sipas tij, do të arrihet objektivi i suficitit primar prej 1.1% të PBB-së, siç parashikohet në programin afatmesëm dhe do të mbeten edhe pak para nga ky objektiv. Prandaj, qeveria ia kthen shoqërisë këtë shumë. Llogaritet që kjo tepricë të jetë 352 milionë euro dhe do të shpërndahet në Krishtlindje.

Shuma fillestare plus një këst e gjysmë shtesë që do të marrë një familje me tre fëmijë në dhjetor varion nga 280 deri në 700 euro. 1 milionë e 55 mijë pensionistë me një pension deri në 700 euro, do të marrin një ndihmë prej 150 euro. Të njëjtën ndihmë do ta marrin në muajin dhjetor të gjithë 33 mijë përfituesit e shtesës së të moshuarve të pasiguruar.

210 mijë përfitues me të ardhura minimale të garantuara do të përfitojnë 50% shtesë të pagesës mujore. Nga dhjetori, të ardhurat minimale të garantuara po rriten me 8%. Kështu, një familje me katër anëtarë do të marrë gjithsej 648 euro në dhjetor: ndihma fillestare +8% rritje plus shtesa e jashtëzakonshme.

225 mijë përfitues të kompensimit si persona me aftësi të kufizuar, shtesës jashtëinstitucionale dhe shtesave të tjera për aftësitë e kufizuara do të përfitojnë 200 euro ndihmë.

Kostoja totale e masave për mbështetjen e të ardhurave të qytetarëve në muajin dhjetor arrin në 717 milionë euro, ndërsa shpenzimet për masat e përhershme për mbështetjen e të ardhurave të qytetarëve nga viti 2024 shkon në 1.6 miliardë euro në vit. Mbështetja do të fokusohet kryesisht te familjet me fëmijë, personat me nevoja të veçanta dhe qytetarët me pension të ulët.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat