Bota Postuar më 17 Nëntor 2023, 19:54

Dollari, humbjet më të mëdha javore për 2023 - Të dhënat mbi inflacionin shtojnë mundësitë që FED të ulë interesat

Nga SCAN TV
Dollari, humbjet më të mëdha javore për 2023 - Të

Dollari amerikan pritet të realizojë, në mbyllje të sesionit të sotëm, humbjet më të mëdha javore për këtë vit, përballë valutave kryesore ndërkombëtare. Ndërkohë, jeni japonez u forcuan ndjeshëm, nën 150 për dollar ndërsa shqetësimet rriten rreth përkeqësimit të perspektivës ekonomike globale.

Të dhënat mbi inflacionin në SHBA të martën, kanë rritur optimizmin se Rezerva Federale në SHBA do të ulë normat e interesit, duke “peshuar” mbi dollarin, i cili pritet të publikojë humbje javore prej 1.6%.

Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rënie me 0.2%, në rreth 104, ndërsa euro po këmbehet në rreth 1.086 dollarë, pasi të dhënat në Eurozonë treguan se inflacioni u ngadalësua ndjeshëm, gjatë tetorit. Ndërkohë, shifrat më të dobëta se pritshmëritë të shitjeve me pakicë në Britani iu shtuan një sërë treguesish negativë, me paundin që po tregtohet i qëndrueshëm në mbi 1.24 dollarë.

Të dhënat e dobëta ekonomike në rang global kanë ngritur shqetësime për perspektivat ekonomike, por gjithashtu sugjerojnë se bankat qendrore mund të jenë duke fituar në luftën e tyre kundër rritjes së çmimeve.

Tregjet “futures” vlerësojnë se Rezerva Federale në SHBA do ta ulë normën bazë të interesit me më shumë se 100 pikë bazë vitin e ardhshëm, lëvizje që kanë kontribuar në dobësimin e dollarit. Ndër zhvillimet e tjera, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, deklaroi të premten se Bashkimi Europian ka nevojë për një bashkim të tregjeve të kapitalit, duke shtuar se as qeveritë me borxhe të mëdha dhe as bankat nuk mund të gjejnë paratë e nevojshme për ta bërë bllokun më produktiv dhe më të pavarur.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat