Europa Postuar më 13 Qershor 2023, 10:47

Banka e Anglisë kërkon taksë për karbonin - “Mënyra e duhur për të reduktuar emetimet e gazeve”

Nga SCAN TV
Banka e Anglisë kërkon taksë për karbonin -

Britania dhe vendet e tjera të pasura duhet të marrin në konsideratë një taksë karboni, si mënyra më efikase për të reduktuar emetimet e gazeve serë. Ideja u bë publike nga politikëbërësja e Bankës së Anglisë, Catherine Mann.

Mann, një anëtare e jashtme e Komitetit të Politikës Monetare të Bankës së Anglisë u fokusua tek fakti nëse politikat e prezantuara gjatë pandemisë COVID-19 dhe rritja e çmimeve të energjisë vitin e kaluar ka të ngjarë të pengojnë ose të nxisin rritjen e dobët afatgjatë të Britanisë. Sipas saj çmimet e karburanteve fosile duhet të rriten nga mesatarja e tyre e 2010 - ës për të adresuar ndryshimet klimatike. Ajo shtoi se ndërsa çmimet e energjisë me shumicë janë ulur, tani është koha për të vendosur një strategji afatgjatë si për përdorim më të madh të mekanizmave të tregut ashtu edhe për rishpërndarjen e të ardhurave.

Qeveria e Britanisë ka shpenzuar pothuajse 40 miliardë paund për subvencione për familjet dhe bizneset që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, megjithëse shumica e ndihmës do të përfundojë muajin e ardhshëm pasi çmimet e energjisë kanë rënë.

Mann tha se taksat e karbonit dhe skemat e tregtimit të emetimeve dhanë stimuj të qartë për njerëzit dhe bizneset për të reduktuar emetimet e tyre, si dhe për të rritur të ardhurat, dhe plotësuan shpenzimet potencialisht të kushtueshme të qeverisë për teknologjinë e gjelbër.

Partia Laburiste e opozitës britanike tha se për shkak të normave më të larta të interesit do të ngadalësonte planet e saj për të shpenzuar 28 miliardë paund në vit për investime të gjelbra, nëse fiton zgjedhjet vitin e ardhshëm.

Banka e Anglisë ka rritur normat 12 herë që nga dhjetori 2021, duke rritur normën bazë të interesit në 4.5% nga 0.1%, dhe tregjet financiare presin që normat të arrijnë në 5.5% deri në nëntor. Mann ka qenë një mbështetëse e zjarrtë e rritjes së normave të interesit për të trajtuar inflacionin, i cili arriti kulmin në 11.1% vitin e kaluar.

Perspektivat e rritjes së Britanisë do të përfitonin gjithashtu nga kujdesi më i lirë i fëmijëve dhe më shumë shpenzime biznesi për trajnimin e stafit, i cili nuk është rikuperuar nga kriza financiare e vitit 2008, shtoi ajo.

Dorina Kurtaj / SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat