Bota Postuar më 15 Dhjetor 2023, 19:14

Ari e mbyll javën në rritje me 2% - Mbështetet nga dobësimi i dollarit dhe nga rënia e “yield”-eve

Nga SCAN TV
Ari e mbyll javën në rritje me 2% - Mbështetet nga dobësimi

Ari po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm dhe pritet të publikojë fitime javore, për shkak të pritshmërive se Rezerva Federale do të ulë kostot e huamarrjes në vitin 2024. Kontrata “spot” e arit po qëndron në rreth 2,035 dollarë për onz, ndërsa gjatë kësaj jave është rritur me rreth 2%.

Kontrata “futures” po qëndron në rreth 2,055 dollarë për onz. Analistët shprehen se, perspektiva për uljen e interesave është një mbështetje shumë e mirë për arin, pasi yield-et më të ulëta rrisin atraktivitetin për këtë metal.

Rezerva Federale i la të pandryshuara normat e interesit të mërkurën, ndërsa kryetari Jerome Powell tha se shtrëngimi historik i politikës monetare ka të ngjarë të ketë përfunduar, ndërsa diskutimet do të fokusohen se kur do të vijë ulja e parë e interesave. Zyrtarët e bankës qendrore amerikane vlerësojnë një ulje të normës bazë të interesit me 75 pikë bazë, ndërsa inflacioni pritet të ngadalësohet në 2.4% në fund të vitit të ardhshëm.

Tregjet tani po vlerësojnë rreth 75% shanse, për një ulje të normave të interesit në mars. Normat më të ulëta të interesit në SHBA ushtrojnë presion mbi dollarin dhe yield-et e obligacioneve dhe rrisin tërheqjen e investitorëve.

Dollari pritet të realizojë humbje javore, pasi preku nivelin më të ulët në katër muaj të enjten, duke e bërë arin më pak të shtrenjtë për zotëruesit e monedhave të tjera. Ndër metalet e tjera, argjendi po tregtohet në rreth 24.5 dollarë për onz, ndërsa platini po tregtohet në rreth 965 dollarë për onz.

SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat