Shqipëria Postuar më 22 Gusht 2023, 14:43

Akciza, “imune” ndaj luhatjeve të kursit - Rriten të ardhurat në dogana. Importohen më shumë kafe, karburante dhe birrë

Nga SCAN TV
Akciza, “imune” ndaj luhatjeve të kursit - Rriten të

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka arkëtuar më pak para në 7 mujorin e këtij viti,  vlerë e regjistruar në 121.8 miliardë lekë, dhe në rënie me rreth 900 milionë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit dhe 5.8 miliardë lekë më pak se planifikimi i bërë.

Zëri që ka pësuar rënien më të madhe është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili lidhet direkt me ndryshimet e çmimeve dhe kursin e këmbimit, ku të ardhurat nga ky zë, rezultojnë me -3.2 miliardë lekë.

Por ndërsa të ardhurat në tërësi janë në rënie, duket se akciza ka qëndruar e pa lëkundur nga luhatjet e këtyre muajve.

Të dhënat doganore tregtojnë se të ardhurat në buxhet nga akcizat në 7-mujor, janë më të larta e 5 viteve të fundit. Konkretisht në periudhën Janar-Korrik, nga akciza janë mbledhur 32 miliardë lekë, me rritje prej 2.8 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.

Sa i takon mallrave të akcizës, përgjatë muajve Janar-Korrik 2023, vihet re një rritje e importeve në sasi të kafes, birrës, karburanteve në raport me një vit më parë dhe një rënie e lehtë e importit të cigares.  Në 7 muaj, janë blerë nga jashtë kufijve 4766 ton kafe, 30 mijë ton birrë, 343 mijë ton karburant si dhe 1677 ton cigare.

Në këtë rast rritja e të ardhurave ka ardhur edhe për shkak të sasisë më të lartë të importuar, por duke marrë parasysh se importet në tërësi në volum janë më të larta dhe zërat e tjerë janë në rënie, kjo tregon që mallrat e akcizës kanë rezultuar më imune ndaj luhatjeve si të kursit ashtu edhe të çmimeve.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat