Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2022, 11:47

Aeroporti i Vlorës, garanci 10 vite për humbjet - Vendimi i Qeverisë: Nëse Koncesionari nuk del me fitim, kompensohet nga buxheti

Nga SCAN TV

Grupi i kompanive që kanë fituar koncesionin e Aeroportit të Vlorës nuk do kenë asnjë shqetësim në rast se nuk sigurojnë dot fitime, të paktën gjatë 10 viteve të para. Kjo pasi shteti Shqiptar ka vendosur të kompensojë nga buxheti I shtetit fitimin e munguar të koncesionarit, në rast se ky i fundit nuk arrin të sigurojë të ardhurat minimale të përcaktuara në kontratë përmes shërbimeve aeroportuale. Është zbardhur tashmë në Fletoren Zyrtare Vendimi I Qeverisë për autorizimin e ndihmës shtetërore për kocesionarin e Vlorës.

Qeveria ka shfrytëzuar hapësirën që lë Ligji i vitit 2005, “Për ndihmën shtetërore”, për t’i siguruar koncesionarëve se ata nuk rrezikojnë të përballen me humbje në rast se nuk sigurojnë dot të ardhurat e nevojshme. Ky Ligj i jep të drejtë shtetit të mbështesë financiarisht subjekte private që ai i vlerëson me rëndësi strategjike.

Shkronja “c”, e nenit 13, të ligjit nr. 9374/2005, “Për ndihmën shtetërore”, përcakton se ndihma shtetërore mund të lejohet, nëse: “lehtëson zhvillimin e veprimtarive të caktuara ekonomike ose zhvillimin e zonave të caktuara ekonomike, deri në atë masë sa kjo ndihmë nuk është në kundërshtim me detyrimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë”.

Plani i Ndihmës është propozuar nga Ministria e Energjisë dhe është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së datës 25 maj të këtij viti.

Përfituesi i ndihmës shtetërore është bashkimi i operatorëve ekonomikë “Mabco Constructions” Sa, “Yda Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe 2A Group sh.p.k. në cilësinë e Koncesionarit, që në kuptim të legjislacionit do të krijojnë shoqëri për qëllime të veçanta (SPV), krijuar posaçërisht për zbatimin e kontratës së koncesionit/PPP në fjalë. Shoqëria tashmë është krijuar me emrin: “Vlora International Airport – VIA sh.p.k.”.

Autoriteti Kontraktues do të garantojë Koncesionarin si më poshtë, përcakton Qeveria në Vendim: “Në rastin kur të ardhurat bruto vjetore janë më pak se të ardhurat minimale, Autoriteti Kontraktues do t’i paguajë Koncesionarit diferencën midis të ardhurave bruto vjetore të llogaritura nga vlerësuesi sipas nenit 11.3 dhe të ardhurave minimale (“Garancia e të ardhurave”)” .

Qeveria nuk përcakton një kuotë buxhetore kufi për garancinë financiare ndaj koncesionarit, duke argumentuar se kjo do të llogaritet vit pas viti. “Sipas njoftimit, efektet financiare në buxhetin e shtetit nuk mund të jenë të matshme, sepse do të jenë në varësi të të ardhurave që do të ketë Koncesionari. Pra, në varësi të ecurisë së veprimtarisë ekonomike të subjektit, plani i ndihmës mund të aktivizojë burime shtetërore.

Lorenc Rabeta / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=chr_oqk2C4U&t=71s

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat