Europa Postuar më 11 Gusht 2022, 11:33

Administratori i Ryanair: Harrojini fluturimet me 10 euro! “Nuk ka më udhëtime të lira për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve”

Nga SCAN TV
Administratori i Ryanair: Harrojini fluturimet me 10 euro!  “Nuk ka

Kompania ajrore Ryanair nuk do të ofrojë më fluturime me çmime të ulëta për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve. Administratori ekzekutiv i kompanisë, Michael O'Leary tha se koha e biletave prej 10 euro ka përfunduar.

Tarifa mesatare e linjës ajrore do të rritet nga rreth 40 € që ishte vitin e kaluar në afërsisht 50 € gjatë pesë viteve të ardhshme, konfirmoi ai në një intervistë për BBC. Por O’Leary u shpreh i sigurtë se njerëzit do të vazhdojnë të fluturojnë shpesh, pavarësisht rritjes së kostos së jetesës. Por ai këmbënguli se për vitet e ardhshme njerëzit nuk do të shohin më oferta të lira promocionale prej 10 eurosh, në këtë kompani ajrore.

Rritja e çmimeve të karburantit që si pasojë shkakton dhe rritje të çmimeve për udhëtimet me avion, po rrit dhe faturat e energjisë elektrike për familjet, duke shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të njerëzve. Por administratori i Ryanair u shpreh se pavarësisht kësaj, ai pret që klientët të kërkojnë variante me kosto më të ulët në vend që të heqin dorë nga fluturimet.

Ai tha se njerëzit do të bëhen shumë më të ndjeshëm ndaj çmimeve por do të vazhdojnë të fluturojnë shpesh.

Ndërsa biletat e fluturimit janë bërë më të lira në dekadat e fundit, numri i fluturimeve të kryera është rritur, me më shumë njerëz që bëjnë pushime të shkurtra jashtë vendit, krahas pushimeve vjetore. Linjat ajrore si Ryanair, Easyjet, Vueling dhe Uizz Air kanë konkurruar për të ofruar shërbime me kosto të ulët.

Fluturimet komerciale tani përbëjnë rreth 2.4% të emetimeve globale të CO2 dhe sektori po përballet me presion për të reduktuar ndikimin e tij në klimë, duke përfshirë fushatat për të bindur njerëzit që të kalojnë në udhëtimet hekurudhore dhe rrugore.

Megjithatë, O'Leary argumentoi se transporti rrugor dhe transporti detar ishin kontribuesit më të mëdhenj të CO2 në përgjithësi, dhe tha se fokusi në reduktimin e emetimeve nga udhëtimi ajror ishte "i gabuar".

Ai tha se Ryanair po investonte në avionë më efikasë për karburant, por se reduktime më të mëdha në përdorimin e karburanteve fosile do të vinin në momentin që automjetet elektrike do të zëvendësojnë automjetet që përdorin benzinë dhe naftë.

Në gjashtë muajt e parë të 2022-shit, Ryanair anuloi 0.3% të fluturimeve, në krahasim me British Airways që anuloi një total prej 3.5%, dhe Easyjet me 2.8%.

Dorina Kurtaj / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=FH9aH636I-c

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat