Bota Postuar më 7 Nëntor 2023, 10:00

85% e njerëzve nuk u besojnë lajmeve në internet - Shqetësimi më i madh, ndikimi i tyre në zgjedhje

Nga SCAN TV
85% e njerëzve nuk u besojnë lajmeve në internet -

Më shumë se 85% e njerëzve janë të shqetësuar për ndikimin e dezinformimit në internet dhe 87% besojnë se ai tashmë ka dëmtuar politikën e vendit të tyre, sipas një sondazhi global, pasi Kombet e Bashkuara prezantuan një plan për të trajtuar fenomenin.

Audrey Azoulay, drejtore e përgjithshme e Unesco, tha se informacioni i rremë dhe gjuha e urrejtjes në internet – të përshpejtuara dhe të përforcuara nga platformat e mediave sociale – përbënin “rreziqe të mëdha për kohezionin social, paqen dhe stabilitetin”.

Sipas saj, rregullorja ishte urgjentisht e nevojshme për të mbrojtur aksesin në informacion, duke mbrojtur në të njëjtën kohë lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut. Një sondazh i komisionuar nga UNESCO në 16 vende që do të mbahen zgjedhjet kombëtare vitin e ardhshëm – me gjithsej 2.5 miliardë votues – tregoi se sa urgjente ishte bërë nevoja për rregullim efektiv.

Sondazhi nga anketuesi Ipsos me 8 mijë njerëz në vende përfshirë Austrinë, Kroacinë, SHBA-në, Algjerinë, Meksikën, Gana dhe Indinë, zbuloi se 56% e përdoruesve të internetit i merrnin lajmet e tyre kryesisht nga mediat sociale, shumë më tepër se nga televizionet – vetëm 44% ose faqet mediatike - 29%.

Mediat sociale ishin burimi kryesor i lajmeve pothuajse në çdo vend, pavarësisht se besimi në informacionin që ofronte ishte dukshëm më i ulët se në mediat tradicionale: 50% kundrejt 66% për televizionin, 63% për radion dhe 57% për faqet e internetit dhe aplikacionet e medias.

Në të 16 vendet, 68% e të anketuarve thanë se mediat sociale ishin vendi ku lajmet e rreme ishin më të përhapura. Dezinformimi ishte në masë të madhe si një kërcënim konkret, me 85% që thanë se ishin të shqetësuar për ndikimin e tij. 87% thanë se dezinformimi kishte pasur tashmë një ndikim të madh në jetën politike kombëtare dhe do të luante një rol në zgjedhjet e 2024-ës.

Gjuha e urrejtjes u pa gjithashtu si e përhapur: 67% e të anketuarve thanë se e kishin parë atë në internet. 88% thanë se qeveritë dhe rregullatorët duhet t'i adresojnë të dyja çështjet, dhe 90% gjithashtu donin që platformat të ndërmarrin veprime.

Vigjilenca ishte veçanërisht e rëndësishme gjatë fushatave zgjedhore. Nga të anketuarit, 89% kërkuan ndërhyrje nga qeveria dhe 91% prisnin që platformat e mediave sociale të ishin edhe më vigjilente në rastet kur demokracia rrezikohet.

UNESCO tha se plani i saj, i bazuar në shtatë parime kryesore, kishte dalë nga një proces konsultimi që u përshkrua si "i paprecedentë" në sistemin e OKB-së, duke u mbështetur nga më shumë se 10 mijë kontribute nga 134 vende për një periudhë 18-mujore.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat