Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2024, 13:12

50% e lejeve minerare, në 3 qarqe - Kryeson Dibra, Berati e Elbasani. Në fund të listës renditet Fieri, me 2%

Nga SCAN TV
50% e lejeve minerare, në 3 qarqe - Kryeson Dibra, Berati e Elbasani.

Mbi 50% e lejeve minerare janë të përqëndruara në 3 qarqe të vendit e më konkretisht në Dibër, Elbasan dhe Berat. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, në Dibër numërohen 163 leje apo 32% e totalit, në Berat 10% dhe në Elbasan 9 % e totalit prej 513 lejesh. Ndërkaq, pjesa tjetër ndahet mes 9 qarqeve, ku në fund renditet Fieri me 2% të lejeve minerare, që ushtrojnë aktivitetin në këtë territor.

Por, ndonëse janë të pasura me burime natyrore bashkitë e qarqeve përfitojnë pak nga këto pasuri. Kjo pasi sipas legjislacionit në fuqi vetëm 5% e rentës minerare duhet t’iu transferohet bashkive ku ushtrojnë aktivitetin kompanitë minerare, ndërkohë që pjesa tjetër shkon në buxhetin e shtetit.

Në fakt, shpesh herë është kërkuar që masa e transfertës të rritet e të shkojë në 25%, sikurse ka qenë shumë vite më parë, ndërkohë që projektligjet janë diskutuar edhe në parlament, por asnjëherë nuk janë finalizuar.

Renta minerare është një taksë, e cila mblidhet nga shteti nga bizneset që shfrytëzojnë burimet natyrore. Ndërkohë që, sipas legjislacionit në fuqi, vlera e transferuar pranë bashkive ku shfrytëzohen këto burime, ka si qëllim kryerjen e investimeve për komunitetin, duke përmirësuar jetesën e banorëve që jetojnë në këto zona.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financve dhe Eknomisë, gjatë vitit 2023 buxheti i shtetit arkëtoi rreth 2.9 mld lekë nga taksa e rentës minerare në eksport, por në këtë vlerë përfshihet edhe taksa që mblidhet për naftën.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat