Bota Postuar më 25 Janar 2023, 13:57

16 miliardë dollarë vetëm në vitin 2022- Ken Griffin realizoi fitime rekord për “Citadel”. Theu rekordin e John Paulson të vitit 2007

Nga SCAN TV
16 miliardë dollarë vetëm në vitin 2022-  Ken Griffin

“Citadel Group” i Ken Griffin theu çdo rekord të mëparshëm për fitimet e fondeve të përbashkëta vitin e kaluar. Konkretisht, ai fitoi 16 miliardë dollarë krahasuar me rekordin e mëparshëm të mbajtur nga John Paulson (një agjent burse i njohur), me 15.6 miliardë dollarë.

“Citadel”, e cila menaxhon 54 miliardë dollarë në asete dha kthime prej 38.1% në fondet e saj kryesore të investimeve, si dhe të ardhura të konsiderueshme në produktet e tjera të saj vitin e kaluar, me të ardhura totale për klientët, pas tarifave, që arrijnë në 16 miliardë dollarë.

Fitimet e “Citadel” i atribuohen basteve të saj në aksione dhe obligacione, pasi tregjet e obligacioneve në veçanti kanë regjistruar shitje masive, duke ofruar një mundësi shumë të mirë tregtimi për menaxherët afatgjatë të fondeve. Fitimet totale të kompanisë tregtare ishin 28 miliardë dollarë, që do të thotë se u ngarkoi klientëve të saj 12 miliardë dollarë tarifa dhe komisione. Këtë vit, “Citadel” e Ken Griffin rrëzoi nga froni Bridgewater të Ray Dalio, i cili për shtatë vjet mbajti titullin e konglomeratit më të suksesshëm të industrisë.

Kompania ishte në prag të falimentimit në vitin 2008. Kriza financiare globale e gjeti Griffin të mbivlerësuar, pasi për çdo 1 dollarë që klientët i dhanë “Citadel”, ajo merrte hua dhe investonte 8 dollarë. Për shkak të kësaj manovre, kompania u godit nga kriza, duke humbur të paktën gjysmën e fondeve që i besuan klientët e saj brenda 15 javësh.

Në kërkim të mbijetesës, themeluesi i saj iu drejtua një lëvizjeje të fundit, pasi "mbylli" fondet e tij të investimit, duke i ndaluar në mënyrë efektive klientëve të tërheqin paratë e tyre për një periudhë 10-mujore.

U deshën saktësisht 3 vjet e 17 ditë që “Citadel” të rikuperonte fondet e investitorëve që kishte humbur.

Si zakonisht, Ken Griffin përsëri shpërbleu në mënyrë mbresëlënëse punonjësit e tij për performancën e “Citadel”. Në fund të vitit 2022 ai ftoi të gjithë punonjësit, së bashku me familjet e tyre, për një udhëtim tre-ditor në parkun Walt Disney në Florida. Vetë menaxheri i fondit mbuloi të gjitha shpenzimet për gjithsej 10 mijë persona, ndërsa mes të ftuarve ishin më shumë se 2500 fëmijë. Biletat e avionit nga qytete të tilla si Nju Jork, Hjuston, Paris dhe Zyrih, hotelet, kostoja e biletave të parkut tematik dhe ushqimi u paguan të gjitha nga ai. Programi treditor madje përfshinte një koncert të Coldplay.

Megjithëse Ken Griffin ka një reputacion si një shef i ashpër, ai është mësuar me gjeste kaq madhështore bujare ndaj stafit të tij. Për ditëlindjen e 25-të të “Citadel”, ai pagoi për të sjellë këngëtaren Katy Perry dhe kishte një festë tjetër me grupin Maroon 5 për të shpërblyer stafin për punën e tyre të palodhur.

Dorian Koça / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat