Bota Postuar më 24 Nëntor 2023, 11:56

Virusi misterioz, Kina i përgjigjet OBSH - “Nuk u gjet asnjë patogjen i pazakontë në rastet e pneumonisë”

Nga SCAN TV
Virusi misterioz, Kina i përgjigjet OBSH - “Nuk u gjet asnjë

Autoritetet shëndetësore kineze nuk kanë zbuluar ndonjë patogjen të pazakontë ose të ri dhe kanë ofruar të dhënat e kërkuara për një rritjeje të rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe raste të raportuara të pneumonisë tek fëmijët. Deklarata u bë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

OBSH-ja i kishte kërkuar Kinës më shumë informacion pasi grupet duke përfshirë Programin për Monitorimin e Sëmundjeve në zhvillim - ProMED raportuan raste të pneumonisë së padiagnostikuar te fëmijët në Kinën veriore. Sipas rregullit, Kina iu përgjigj OBSH-së brenda 24 orëve. OBSH kishte kërkuar informacion epidemiologjik dhe klinik, si dhe rezultate laboratorike përmes mekanizmit të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit.

Të dhënat sugjerojnë se rritja është e lidhur me heqjen e kufizimeve të COVID-19 së bashku me qarkullimin e patogjenëve të njohur si ‘mycoplasma pneumoniae’, një infeksion i zakonshëm bakterial që zakonisht prek fëmijët më të vegjël dhe që ka qarkulluar që nga maji. Agjencia nuk këshillon kufizime të udhëtimeve dhe tregtisë pasi situata po monitorohet vazhdimisht me autoritetet.

Autoritetet kineze nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit mbajtën një konferencë shtypi më 13 nëntor për të raportuar një rritje të incidencës së sëmundjeve të frymëmarrjes.

Agjencia shëndetësore e OKB-së i kishte kërkuar gjithashtu Kinës informacion të mëtejshëm në lidhje me tendencat në qarkullimin e patogjenëve të njohur dhe barrën në sistemet e kujdesit shëndetësor. OBSH tha se ishte në kontakt me mjekët dhe shkencëtarët përmes partneriteteve dhe rrjeteve ekzistuese teknike në Kinë.

Rritja e sëmundjeve të frymëmarrjes vjen ndërsa Kina përgatitet për sezonin e saj të parë të plotë të dimrit që nga heqja e kufizimeve të rrepta për COVID-19 në dhjetor. Shumë vende të tjera panë rritje të ngjashme në sëmundjet e frymëmarrjes pas lehtësimit të masave pandemike.

Që nga mesi i tetorit, OBSH tha se Kina veriore kishte raportuar një rritje të sëmundjeve të ngjashme me gripin krahasuar me të njëjtën periudhë në tre vitet e mëparshme.

Disa përdorues të rrjeteve sociale kanë postuar fotografi të fëmijëve duke bërë detyrat e shtëpisë ndërsa marrin serum në spital.

OBSH tha se ndërsa po kërkonte informacion shtesë, rekomandoi që njerëzit në Kinë të ndiqnin masat për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes. Masat përfshinin vaksinimin, mbajtjen e distancës nga njerëzit e sëmurë, qëndrimin në shtëpi kur sëmuren, testimin dhe kujdesin mjekësor sipas nevojës, mbajtjen e maskave sipas nevojës, sigurimin e ventilimit të mirë dhe larjen e rregullt të duarve.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat