Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2022, 13:00

“Vërshojnë” kreditë dhe kursimet në valutë - Leku mbetet zgjedhje e “detyruar” për qytetarët dhe bizneset

Nga SCAN TV
“Vërshojnë” kreditë dhe kursimet në valutë

Pavarësisht masave të deeuroizimit të zbatuara nga Banka e Shqipërisë, duket se qytetarët kanë tendencë të zgjedhin më së shumti përdorimin e monedhave të huaja sesa monedhën kombëtare. Referuar raportit të publikuar nga Banka Qendrore, vihet re se depozitat në valutë arritën në 53.2% të totalit të depozitave të klientëve në 6 mujorin e parë të vitit, rreth 1.4 pikë përqindje  më lart se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 2.3 pp më lart se një vit më parë.

Ndërsa depozitat mbi një vit në monedhën vendase kanë ruajtur nivel të përafërt me fundin e gjashtëmujorit të kaluar, duke shënuar nivelin 14.5% të totalit të depozitave.

E thënë ndryshe, qytetarët shqiptarë kanë rritur kursimet në valutë të huaj përgjatë kësaj periudhe. E njëjta tendencë është shfaqur edhe në kahun e kreditimit. Kështu sipas raportit të Bankës së Shqipërisë,  kreditë në valutë shënuan nivelin 51.2% të tepricës së kredive, ose 0.1 pp më shumë se fundi i dhjetorit 2021 dhe 1.4 pp më shumë se një vit më parë. Lajmi i mirë në këtë drejtim është rënia e vlerës dhe të peshës së kredisë në valutë të pambrojtur nga kursi i këmbimit.

Pra rastet kur të ardhurat janë në monedhën vendase dhe kreditimi në valutë. Kjo ecuri ndodh prej disa periudhash dhe përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në uljen e profilit të rrezikut të portofolit të kredisë për bankat.

Kreditë e pambuluara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përbëjnë 34.3% të kredive në valutë, 2.8 pp më pak se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 7 pp më pak se një vit më parë. Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë periudhës janar - qershor 2022, luhatshmëria e monedhës vendase ka shënuar nivele të përafërta me periudhat e kaluara.

Kundrejt euros, leku është mbiçmuar lehtë në dy 3-mujorët e fundit. Kjo ecuri përkon me sjelljen sezonale të viteve të fundit, ku gjatë muajve mars-prill vihet re një mbiçmim i lekut ndaj euros. Paketa e masave për nxitjen e përdorimit të monedhës vendase ka nisur të zbatohet nga Banka e Shqipërisë që në muajin Shkurt 2018, bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, por deri më sot rezultatet kanë qenë të papërfillshme.

Elisabeta Dosku / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat