Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2022, 10:12

Várhelyi: Kandidatët e BE-së duhet të 'bindin' anëtarët se janë të përgatitur!

Nga SCAN TV
Várhelyi: Kandidatët e BE-së duhet të 'bindin'

Kandidatët për anëtarësim në BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë dritën jeshile nga të gjitha 27 vendet anëtare për të filluar negociatat e anëtarësimit. Pas njoftimit të së hënës, krerët e të dy vendeve u ftuan në Bruksel të martën për të diskutuar atë që kryeministri çek Petr Fiala e përshkroi si "hapat e ardhshëm në rrugën e tyre drejt BE". "Me këtë, ne mund të kalojmë në fazën tjetër në procesin e pranimit për të dy vendet," tha Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi. "[Kjo do të thotë se] ne mund të fillojmë tani negociatat e pranimit ndërsa flasim."

Përveç Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit. Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur negociatat e anëtarësimit dhe ndërkohë kanë mbyllur disa kapituj tematikë nga 35 gjithsej.

Bosnja dhe Kosova konsiderohen si vende kandidate potenciale, pasi kanë nënshkruar Marrëveshjet e tyre të Stabilizim Asociimit, por negociatat që atëherë kanë ngecur për të dyja. Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i kandidatit në sesionin më të fundit të Këshillit Evropian në Bruksel, më 23 qershor.

Përveç kësaj, Turqia është gjithashtu një kandidate, e cila ka paraqitur kërkesën e saj për t'u anëtarësuar në Komunitetin Ekonomik Europian, paraardhësi i BE-së, në vitin 1987, por shanset e saj për t'u bërë një anëtare e plotë konsiderohen pothuajse inekzistente.

"Ndjenja ime tani është se ka shumë më tepër hapje për të mirëpritur anëtarët e rinj të BE-së, por sigurisht që këta anëtarë të rinj do të duhet të bindin anëtarët aktualë se ata janë të gatshëm jo vetëm të respektojnë, por të përmbushin të gjitha kërkesat," tha Várhelyi. "Nëse Europa dëshiron të jetojë në siguri, prosperitet dhe stabilitet, ajo duhet të ketë fqinjësinë e saj, Ballkanin Perëndimor, të integruar plotësisht. Kjo luftë në Europë, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës e ka dëshmuar vlerën e kësaj," shtoi ai.

Ky zhvillim historik vjen pasi Maqedonia e Veriut votoi për të pranuar të ashtuquajturin propozim francez si një mjet për t'i dhënë fund vetos nga fqinji i saj, Bullgaria, e cila kishte bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit që nga viti 2020.

Sofja pohon se gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se të dy vendet kanë një histori të përbashkët. Maqedonia e Veriut pretendon se gjuha dhe historia e saj janë të ndryshme nga ato të fqinjit të saj. Para vetos bullgare, Maqedonia e Veriut ishte subjekt i një blloku grek që zgjati për më shumë se një dekadë dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në 2019.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat