Europa Postuar më 24 Qershor 2024, 13:30

Turizmi, bekim e mallkim për Europën Jugore! - “Historia e suksesit” të Mesdheut shpëton eurozonën nga recesioni

Nga SCAN TV
Turizmi, bekim e mallkim për Europën Jugore! - “Historia e

“Një spirancë shpëtimi” po i jepet ekonomisë së Europës Jugore nga turistët amerikanë që dynden masivisht për të shijuar diellin dhe detin, duke ndryshuar korrelacionet e fuqisë ekonomike në Kontinentin e Vjetër. Hiperturizmi është një mundësi, por edhe një kërcënim që kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe të shumëanshme, thonë analistët. Në baret, hotelet dhe restorantet në rrugët me kalldrëm të Lisbonës, biznesi është aq i mirë sa kryebashkiaku uli kohët e fundit taksën e të ardhurave lokale për banorët.

Me një rritje ekonomike prej 8.2% vitin e kaluar dhe një rritje prej 20% të të ardhurave nga taksat krahasuar me periudhën para pandemisë, autoritetet komunale e bënë falas transportin publik edhe për të rinjtë dhe të moshuarit. Ndërtesat shekullore po restaurohen, një aeroport i ri, dy herë më i madh se ai ekzistues, është në ndërtim, si dhe një lidhje tre-orëshe hekurudhore me shpejtësi të lartë me Madridin.

Shembulli i Lisbonës përsëritet në të gjithë Europën Jugore, e cila – falë kryesisht vizitorëve amerikanë – po përjeton një boom të paprecedentë turistik në vende që ishin simbole të stagnimit ekonomik, duke krijuar qindra mijëra vende pune dhe duke mbushur arkat e qeverive.

"Historia e suksesit" e Mesdheut po rishkruan historinë e fundit ekonomike të Europës. Në vitet 2010, Gjermania dhe ekonomitë e tjera me industri të rënda prodhuese ndihmuan Kontinentin e Vjetër të dilte nga kriza e borxhit falë eksporteve të forta të automjeteve dhe mallrave, veçanërisht në Kinë. Sot, Italia, Spanja, Greqia dhe Portugalia kontribuojnë në rritjen vjetore të bllokut.

Ndërsa ekonomia e Gjermanisë është në situatë të vështirë, Spanja është ekonomia kryesore me rritjen më të shpejtë të Europës. Pothuajse ¾ e rritjes së fundit të vendit dhe një në katër vende të reja pune janë të lidhura me turizmin, ndërsa në Greqi, e cila po fiton terren pas pandemisë, 44% e të gjitha vendeve të punës janë të lidhura me turizmin.

Trendi është pjesë e një ripërshtatjeje globale pas bllokimeve të COVID-19. Shpenzimet globale të udhëtimit u rritën shtatë herë më shpejt se ekonomia globale gjatë dy viteve të fundit, një model që pritet të vazhdojë gjatë dekadës së ardhshme. Europa, veçanërisht jugu, ka përfituar më shumë se rajonet e tjera. Edhe pse strehon vetëm 5% të popullsisë së botës, BE mori rreth një të tretën e të gjithë dollarëve të turizmit ndërkombëtar vitin e kaluar, më shumë se gjysmë trilion dollarë, krahasuar me rreth 150 miliardë dollarë në SHBA, ku turizmi ka qenë i ngadalshëm në rimëkëmbje.

E ndërsa turizmi rrit të ardhurat, shenjat e pakënaqësisë po shfaqen në të gjithë rajonin. Mijëra vendas po protestojnë kundër turizmit masiv dhe mbipopullimit. Një ankesë e shpeshtë është se përfituesit më të mëdhenj janë kompanitë amerikane, nga Airbnb tek Uber. Disa ekonomistë shqetësohen gjithashtu se një rritje e turizmit mund të përkeqësojë sfidat ekzistuese ekonomike. Ashtu si zbulimi i naftës, fokusi i ri i Evropës Jugore në turizëm mund të pengojë aktivitetet me vlerë më të lartë duke bashkuar kapitalin dhe punëtorët, një fenomen që disa analistë e kanë quajtur ‘sëmundje plazhi’.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat