Bota Postuar më 9 Qershor 2022, 09:57

Tregu monetar, në qëndrueshmëri - Pritet takimi i BQE, parashikohet rritje e interesave me 75 pikë bazë deri në shtator

Nga SCAN TV

Tregu monetar po shfaqet i qëndrueshëm gjatë sesionit të sotëm, ndërsa dollari po qëndron në rënie të lehtë për të dytën ditë me radhë. Përballë jenit japonez, monedha amerikane po tregtohet në nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit. Investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi janë në pritje të takimit të Bankës Qendrore Europiane, që zhvillohet më vonë gjatë ditës së sotme.

Jeni japonez ka prekur nivelin më të ulët që nga 27 shkurti i vitit 2002 në raport me dollarin amerikan dhe nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2015 përballë euros, pasi Banka e Japonisë është ndër të paktat banka qëndrore që nuk ka sinjalizuar rritjen e interesave për të luftuar inflacionin.

Në takimin e sotëm, Banka Qendrore Europiane pritet të përgatisë terrenin për rritjen e normës bazë të interesit në takimin e korrikut. Analistët parashikojnë një rritje me 75 pikë bazë deri në shtator.

Gjithashtu, tregjet po presin edhe të dhënat e rishikuara mbi inflacionin për majin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që publikohen të premten. Analistët parashikojnë se, inflacioni do të rezultojë në 8.3%, i pandryshuar me prillin. Ndërkohë, paundi britanik është gjendur nën presion për shkak të rreziqeve politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe ngadalësimit të ekonomisë. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet në rreth 30 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1800 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat