Shqipëria Postuar më 31 Maj 2022, 14:43

Transferimi i lejeve minerare, dalin procedurat: Lejohet kalimi për lejet e dhëna me konkurrim, miratimi përfundimtar “në dorë” të ministrit

Nga SCAN TV

Pas ndryshimeve ligjore, që i hapën rrugën transferimit të lejeve minerare, Këshilli i Ministrave ka miratuar kriteret dhe rregullat që duhet të ndiqen për kalimin e të drejtave nga zotëruesi. Sipas vendimit, janë një sërë kriteresh që duhet të përmbushin personat juridikë, të cilëve do t’u transferohet leja minerare, duke përfshirë ato ligjore, financiare, si dhe teknike dhe profesionale.

Ndërkohë që, është  zotëruesi i lejes minerare që duhet të paraqesë në Qendrën Kombëtare të Biznes dokumentacionin e plotë për transferimin e lejes minerare, teksa kjo e fundit pas verifikimit të dokumentacionit do të duhet ta përcjellë pranë ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.  Është ky dikaster që do të bëjë vlerësimin, teksa brenda 60 ditësh do të duhet të vendosë nëse leja do të transferohet apo jo.

Sipas vendimit, leje minerare që janë dhënë me procedura konkurruese do të mund të transferohen pas një periudhe 5-vjeçare nga data e dhënies së lejes, ndërkohë që për lejet e tjera, nuk nevojitet kalimi i një periudhe të caktuar. Transferimi i lejeve të dhëna me procedurë konkurruese u lejua pas ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2020. Ndryshimet u bënë pas kërkesavee të aktorëve të tregut që e konsideronin pamundësinë e transferimit një problem për zhvillimin e tregut minerar.

Ndërkohë që, relacioni shoqërues i ndryshimeve ligjore argumentonte se mundësia e transferimit të lejeve të dhëna me procedurë konkurruese pas një periudhe 5-vjeçare merrte në konsideratë dinamikën e ndryshimeve që mund të ketë një shoqëri tregtare gjatë zhvillimit të veprimtarive të ndryshme që ajo mund të zhvillojë (jo vetëm në aktivitetin minerar).

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat