Shqipëria Postuar më 31 Maj 2022, 14:40

Koncesioni i ri për aksin Thumanë–Kashar/ Kontrata e re, me mbështetje buxhetore dhe risqe fiskale për shtetin. Zgjatje me 22 vjet  

Nga SCAN TV

Pavarësisht deklaratave të ministers së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pas mbledhjes së qeverisë, procedura e ndjekur për miratimin e kontratës së rishikuar koncesionare për aksin rrugor Thumanë-Kashar nënkupton se kontrata është me mbështetje financiare dhe që merr përsipër risqe fiskale nga shteti. Kjo për shkak të parashikimeve ligjore në fuqi, që përcaktojnë se këto lloj kontratash, pas nënshkrimit nga palët dhe pas marrjes së vlerësimit përfundimtar nga ministria përgjegjëse për financat, dërgohen për miratim edhe në Këshillin e Ministrave.

Kjo është një procedurë që u parashikua në ndryshimet që iu bënë ligjit “Për koncesionet dhe partneritetin public privat”, që gjithashtu shtoi edhe një kompetencash për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për mbajtjen nën kontroll të angazhimeve fiskale të marra nga autoriteti kontraktor, jo vetëm gjatë fazës së përgatitjes së projekteve koncesionare, por edhe gjatë zbatimit të kontratave, me qëllim minimizim e impaktit të tyre në buxhet.

Ndryshimet ligjore kërkonin gjithashtu që llojet dhe natyra e risqeve fiskale të mundshme të përcaktoheshin me vendim qeverie. Ndërkohë që, referuar këtij detyrimi, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se “me ‘risqe fiskale’ nënkuptohet mundësia e deviacioneve të treguesve fiskalë të miratuar në ligjin vjetor të buxhetit, si pasojë e materializimit të risqeve të parashikuara në një kontratë koncesionare apo PPP”. Qeveria vendosi të rikthejë projektin koncesionar të rrugës Thumanë –Kashar, pas një rinegocimi me kompaninë mbajtëse të koncesionit, që është “Gener 2”.

Projekti ishte pjesë e paktës “1 miliard “ të qeverisë për rrugët, por ai u anulua në fillim të vitit 2019 me argumentin se fondet buxhetore të parashikuara do të shkonin në funksion të “Paktit për Universitetin”, ndonëse në atë kohë buxheti i parashikuar për këtë kontratë ishte “zero” lekë. Gjithsesi, kompania ankimoi vendimin në gjykatë, teksa kjo e fundit i dha të drejtë, duke detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të rinegociojë kontratën.

Ndërkaq, në ditët e fundit të vitit të kaluar, qeveria vendosi nisjen e procedurave të negociimit, pa ankimuar vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, në Gjykatën e Lartë. Dokumenti i ri nuk është publikuar ende, por bazuar në deklaratat e Ballukut është parashikuar një kohëzgjatje e koncesionin, nga 13 vjet që ishte më herët, në 35 vjet.  Në kohën që u shpall gara, u saktësua se projekti ka një gjatësi prej 21 kilometrash. Ndërkohë që 11 nga 13 vitet e kontartës do të ishin mirëmbajtje.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat