Bota Postuar më 29 Nëntor 2023, 13:09

Termocentrali që thith CO2 nga ajri dhe e ‘mbyll’ atë në asfalt!

Nga SCAN TV
Termocentrali që thith CO2 nga ajri dhe e ‘mbyll’ atë

Pastrimi i atmosferës me sisteme të afta për të ulur në mënyrë drastike nivelet e CO2 duke vepruar drejtpërdrejt në ajrin e ndotur, duke thithur dioksidin e karbonit dhe duke e përdorur atë për qëllime të dobishme për shoqërinë. Në Shtetet e Bashkuara, kjo ide joshëse ka çuar në zhvillimin e një teknologjie inovative që ka marrë fonde të gjera nga qeveria. E meta e vetme: kostoja.

Në Tracy (Kaliforni), start-up-i amerikan Heirloom Carbon Technologies ka krijuar fabrikën e parë inovative komerciale që përdor "kapjen e drejtpërdrejtë të ajrit", pra thithjen e gazeve serrë. Aktualisht ekzistojnë vetëm dy objekte të këtij lloji në botë (tjetra ndodhet në Islandë). Kjo teknologji mund të jetë vendimtare për të luftuar ndryshimet klimatike. Gazi i nxjerrë nga atmosfera, në fakt, inkorporohet përgjithmonë në asfalt ku nuk do të jetë më në gjendje të ngrohë planetin dhe mund të përdoret për ndërtimin e infrastrukturës.

Fabrika në qytetin e Kalifornisë është vetëm një hap i parë, duke qenë se është në gjendje të asgjësojë vetëm 1000 ton karbon në vit, ekuivalente me ndotjen e prodhuar nga 200 makina në 365 ditë. Megjithatë, menaxherët e kompanisë planifikojnë të shumëfishojnë impiantet dhe të jenë në gjendje të tërheqin miliona tonë në vit.

Administrata e Biden e pëlqeu shumë idenë, deri në atë pikë sa gushtin e kaluar u dha deri në 1.2 miliardë dollarë disa kompanive, duke përfshirë Heirloom, për të financuar ndërtimin e impianteve të kapjes direkte të ajrit në Teksas dhe në Luiziana, shumë më të mëdha se ato të Tracy. Përtej bonusit të qeverisë, burimi i të ardhurave për ata që ndërtojnë dhe menaxhojnë këto impiante do të vijë nga aftësia për të shitur kredi për heqjen e karbonit tek kompanitë e tjera, të gatshme për të paguar shumë për të kompensuar emetimet e tyre.

Në praktikë, gjigantë të tillë si Microsoft, Airbus dhe JPMorgan Chase, për të përmendur ata që kanë lëvizur tashmë në këtë drejtim, po shpenzojnë miliona që do t'i lejojnë ata të respektojnë rregulloret e ndotjes. Kompania e themeluar nga Bill Gates, për shembull, ka nënshkruar tashmë një marrëveshje me Heirloom për të hequr 315,000 ton gaze serrë në të ardhmen e afërt.

I gjithë procesi i heqjes bazohet në një reaksion të thjeshtë kimik: kur oksidi i kalciumit bie në kontakt me dioksidin e karbonit, formohet kalcit. Kjo nxehet në 900°C në një furrë të fuqizuar nga energjia e rinovueshme, duke çliruar kështu CO2, i cili nga ana tjetër pompohet drejtpërdrejt në një rezervuar depozitimi, për t'u përdorur më pas në procesin e prodhimit të asfaltit. Pjesa e mbetur, e përbërë nga oksidi i kalciumit (një pluhur i ngjashëm me miellin), përzihet më pas me ujë, shpërndahet në tabaka mbështetëse dhe ekspozohet në ajër të hapur, duke thithur kështu dioksidin e karbonit gjatë tre ditëve në vijim. Në këtë mënyrë kalciti formohet përsëri dhe cikli mund të fillojë përsëri.

Vlerësohet se procesi kushton rreth 600 dollarë për çdo ton CO2 të hequr dhe kjo është pika e parë që duhet kritikuar, megjithëse Heirloom është i sigurt se përmes ekonomive të shkallës (d.m.th., kur do të ketë shumë më tepër fabrika dhe do të të standardizohet procesi) do të jetë e mundur të reduktohen kostot me rreth gjashtë herë, deri në 100 dollarë për ton. Sipas ambientalistëve, megjithatë, një problem thelbësor mbetet, pikërisht se një zgjidhje e tillë synon të mbajë nën kontroll nivelet aktuale të ngrohjes globale dhe jo t'i reduktojë ato, duke shpërqendruar kështu nga përpjekjet e nevojshme për të reduktuar në mënyrë drastike emetimet.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat