Europa Postuar më 7 Shkurt 2023, 11:17

Tërmeti në Turqi dhe impakti në politikat e vendit - Shtyrja e mundshme e zgjedhjeve dhe kriza ekonomike

Nga SCAN TV
Tërmeti në Turqi dhe impakti në politikat e vendit - Shtyrja e

Pasojat totale të tërmetit të fortë që goditën jugun e Turqisë dhe provincat fqinje në Siri nuk pritet të vlerësohen brenda një kohe të shkurtër. Sizmiologët shprehen se tre tërmetet e së hënës ishin më shkatërruesit të regjistruar ndonjëherë në historinë moderne të vendit.

Parashikimet e fundit flasin për rreth 20 mijë viktima të mundshme, ndërkohë që të plagosurit janë me mijëra, e qindra të tjerë po kërkohen ende nën rrënoja. Edhe pse pamjet tronditëse vazhdojnë të shokojnë opinionin publik, janë gjithnjë e më të shumtë ata që kanë nisur llogaritjen e pasojave të tërmetit në politikën turke. Pyetja e parë është nëse zgjedhjet do të mbahen në 14 maj. Por, kjo do të varet nga dy faktorë: nëse do të ekzistojnë kushtet fizike për realizimin e tyre dhe nëse presidenti Erdogan do të vendosë nëse do të ishte më e favorshme për të, që të zgjasë gjendjen e emergjencës duke vendosur një datë të re: atë të 18 qershorit.

Ndërkohë, Turqia po përballet me krizën e saj ekonomike më të keqe që nga koha kur Erdogan dhe partia e tij AKP – për drejtësi dhe zhvillim – u ngjitën në pushtet në vitin 2002. Inflacioni vijon të rritet prej një viti dhe aktualisht është në nivelin 80%, ndërsa monedha vendase lira ka humbur 30% të vlerës së saj. Kjo situatë po zbeh popullaritetin e Erdogan dhe sondazhet vazhdojnë të sugjerojnë se opozita mund të jetë në gjendje ta largojë atë nga pushteti.

Një test i rëndësishëm do të jetë dhe mënyra se si qeveria do të përballojë krizën më të madhe ndonjëherë. Reagimi patetik i koalicionit qeverisës në pushtet ndaj tërmetit në veriperëndim të Turqisë në vitin 1999, luajti një rol vendimtar për rritjen e menjëhershme të AKP-së. Madje nuk ndihmoi as fakti që ushtria anti-islamike u hodh në mbrojtje të qeverisë së atëhershme.

Qeveria aktuale, mobilizoi ekipe kërkim – shpëtimi, përfshirë 3500 ushtarë, menjëherë pas tërmetit të parë me magnitudë 7.8 në orën 4 të mëngjesit me orën lokale. Madje pragmatiku Erdoan la mënjanë nacionalizmin e tij  të theksuar për të mirëpritur ndihmat nga vendet perëndimore përfshirë këtu dhe Greqinë.

Me pothuajse 80% të mediave në vend në duart e miqve biznesmenë të Erdogan, mbulimi i reagimit të qeverisë pritet të jetë shumë i favorshëm. Reagimet kundër të opozitës këto ditë nuk do të shiheshin me sy të mirë nga një vend ende në zi.

Njësoj si në vitin 1999, pyetjet rreth ndërtimeve dhe standarteve të sigurisë gjatë dy dekadave pushtet të AKP – së të shënuara nga një nivel i lartë korrupsioni, do të shtohen. Miqtë kontraktorë të Erdoganit, të njohur si "Banda e Pesëshes", fituan miliarda dollarë në tenderë publikë. Lideri kryesor i opozitës, Kemal Kilicdaroglu, i cili pritet të kandidojë kundër tij, është zotuar t'i rrëzojë ato.

Erdogan i është kthyer shpenzimeve për të rigjallëruar ekonominë përpara zgjedhjeve, me oferta për pension të parakohshëm për 2.3 milionë punëtorë, subvencione të majme të energjisë dhe premtime për të ngritur gjysmë milioni shtëpi për familjet me të ardhura të ulëta. Injeksionet e parave nga regjimet miqësore të Gjirit dhe energjia e lirë nga Rusia, të cilat ndihmuan në zbutjen e krizës, nuk ka gjasa të zbusin kostot kolosale të tragjedisë së të hënës.

Rritja e armiqësisë publike ndaj pranisë së gati 4 milionë refugjatëve sirianë do ta bëjë të vështirë për qeverinë të justifikojë çdo devijim të fondeve në Sirinë veriore të pushtuar nga Turqia. Afro një mijë njerëz besohet se kanë vdekur në Siri nga tërmetet e së hënës, gati gjysma në veriperëndimin e vendit të kontrolluar nga rebelët. Ditët në vijim do të zbulojnë se sa i zoti mbetet Erdogan për t'i kthyer fatkeqësitë në avantazhin e tij, siç bëri pas grushtit të dështuar të shtetit në 2016-ën, duke e përdorur atë si një pretekst për të shtypur kundërshtarët e tij. Disa thonë se ai tashmë po përdor krizën për të mbjellë përçarje të mëtejshme brenda opozitës. Megjithatë, shkalla e fatkeqësisë së të hënës sugjeron se edhe Erdogani mund të jetë jashtë zonës së tij të sundimit këtë herë.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat