Analiza Postuar më 25 September 2026, 12:58

Të huajt investojnë në prona/ Në 6 muaj, 53% e investimeve të huaja në Shqipëri shkuan në pasuri të paluajtshme

Nga Xhorxhina Deda

Deda (2).png

Flukset e investimeve të huaja direkte në Shqipëri shënuan një rritje të fortë në gjysmën e parë të vitit 2026, duke arritur në 1.14 miliardë euro, nga 759.1 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore llogaritet në 50.8%, ndërsa kontributin kryesor e kanë dhënë aktivitetet e pasurive të paluajtshme.

Vetëm në sektorin e pasurive të paluajtshme, fluksi i investimeve direkte arriti në 609.6 milionë euro gjatë periudhës Janar-Qershor 2026, kundrejt 252.9 milionë eurove një vit më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej 141.1% dhe e bën këtë sektor destinacionin kryesor të kapitalit të huaj në vend.

Në vend të dytë renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 180.9 milionë euro investime, nga 147.4 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2025, ose 22.7% më shumë. Industria përpunuese shënoi gjithashtu një rritje të ndjeshme, duke arritur në 92 milionë euro, 58.2% më shumë në terma vjetorë.

Rritje u regjistrua edhe në informacion dhe komunikacion, ku flukset arritën në 47.3 milionë euro, me një zgjerim prej 78.1%. Ndërtimi pothuajse u trefishua, nga 11.9 në 31.8 milionë euro, ose 166.5% më shumë. Tregtia me shumicë dhe pakicë arriti në 67.3 milionë euro, ndërsa energjia, gazi dhe furnizimi me ujë në 65.7 milionë euro.

Flukset u përshpejtuan në tremujorin e dytë. Totali i investimeve direkte arriti në 741.1 milionë euro në prill–qershor, nga 403.2 milionë euro në tre muajt e parë. Vetëm pasuritë e paluajtshme tërhoqën 438 milionë euro në tremujorin e dytë.

Nga ana tjetër, industria nxjerrëse shënoi një tkurrje të fortë. Investimet ranë nga 97.2 milionë euro në 27.6 milionë euro, ose 71.6% më pak. Transporti dhe magazinimi ranë me 31.5%, ndërsa akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 27.1%.

Disa sektorë regjistruan flukse neto negative në gjysmën e parë të vitit, mes tyre bujqësia, pyjet dhe peshkimi me -3.2 milionë euro dhe arsimi me -2.7 milionë euro. 

 

Shqipëria 25 September Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë pozitivisht duke fituar pikë nga dita e djeshme teksa është blerë mëngjesin e kësaj të premte me 80.2 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat