Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2024, 11:44

“Të hiqet akciza e gazit për industrinë prodhuese” - Nisma ligjore e deputetit të PS: Do ulte kostot për produktet vendase

Nga SCAN TV
“Të hiqet akciza e gazit për industrinë prodhuese” -

Ada Hazizolli/SCAN

Prej janarit të këtij viti, nuk aplikohet më rimbursim për akcizën e gazit të lëngshëm, që përdoret nga industria prodhuese, ndërsa në Kuvend ka mbërritur propozimi për heqjen e saj me qëllim uljen e kostove për produktet vendase dhe nxitjen e konkurrueshmërisë në raport me vendet e rajonit. Nisma ligjore, e depozituar nga deputeti i maxhorancës Ismet Beqiraj vjen edhe si zgjatim i kërkesës së bërë disa muaj më parë nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.

Përmes disa ndryshimeve të bëra në vitin 2021, u vendos unifikimi i akcizës për gazin e lëngshëm, në nivelin 6 lekë për litër si për përdorim në automjetet private ashtu dhe për përdorime të tjera. Në rastin e lëndëve djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, u vendos të aplikohej skema e rimbursimit, e cila ishte në fuqi deri në fund të dhjetorit 2023.

Drafti i depozituar në Kuvend, parashikon përjashtimin nga akciza për gazet e lëngshme dhe hidrokarburet e tjera gazoike të konsumuara me serat me ngrohje, për përpunimin e produkteve ushqimore dhe të tekstilit si edhe në prodhimin e letrës dhe produkteve prej letre, produkteve kimike, produkteve të kauçukut dhe plastikës, produkteve metalikë të fabrikuar, produkteve industriale dhe agro-industriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë deri në fund të dhjetorit të 2027-s.

Efekti financiar i kësaj nisme vlerësohet të jetë rreth 164 milionë lekë. Duke sjellë në vemendje edhe politikat që ndiqen në vendet e rajonit, konkretisht Kosova e cila ka përjashtuar nga akciza e gazit të lëngshëm industrinë e prodhimit, vihen në dukje edhë përfitimet që do të sjellë miratimi i kësaj nisme, si rritje e konkurrueshmërisë së produktit vendas, rritje e prodhimit, rritje e të ardhurave tatimore nga industria prodhuese e deri tek përfitime direkte siç janë punësim i shtuar dhe rritje e investimeve.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat