Bota Postuar më 22 Maj 2024, 15:40

“Tarifë 25% për makinat e importuara nga SHBA, BE” - Kina shton kërcënimet, teksa afati i hetimit të KE afrohet

Nga SCAN TV
“Tarifë 25% për makinat e importuara nga SHBA, BE” - Kina

Kina mund të vendosë tarifa deri në 25% për makinat e importuara me motorë të mëdhenj, sipas një grupi lobimi, pasi tensionet tregtare janë rritur midis ekonomisë nr. 2 në botë dhe SHBA-së e Bashkimit Evropian.

Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE tha se ishte e informuar për lëvizjen e mundshme nga "burime të brendshme". Taksa të tilla do të preknin prodhuesit evropianë dhe amerikanë të makinave dhe do të kishin një ndikim "të rëndësishëm" në marrëdhëniet e Pekinit me Brukselin, shtoi ajo.

Kina po shton ‘kërcënimet e hakmarrjes’ ndërsa afrohet afati i parë për hetimin e Komisionit Evropian mbi subvencionet e Pekinit për tregun e saj në lulëzim të automjeteve elektrike. BE-ja duhet të informojë eksportuesit kinezë nëse ka ndërmend të vendosë tarifa deri më 5 qershor. Kina javën e kaluar la të kuptohet gjithashtu se mund të vendosë taksa për verën dhe produktet evropiane të qumështit.

Rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë do të lejonin vendosjen e një tarife për automjetet e importuara deri në 25%, raporti theksoi, duke shtuar se Kina importoi 250,000 makina me motorë më të mëdhenj se 2.5 litra në vitin 2023, duke përbërë rreth 32% të të gjitha automjeteve të importuara.

Prodhuesit e makinave më të prekura nga tarifa e mundshme do të ishin Toyota, Mercedes-Benz Group dhe BMW. Ndërsa makinat japoneze, si marka Lexus e Toyota-s, do të prekeshin vetëm nëse Kina do të vendoste tarifa për importet nga të gjitha shtetet, në vend që të synonte dërgesat nga SHBA dhe BE.

Kina eksportoi 1.55 milionë automjete elektrike vitin e kaluar, me rreth 638,000 në Evropë dhe rreth 52,000 në Amerikën e Veriut, treguan të dhënat e doganave. Administrata Biden në fillim të këtij muaji njoftoi tarifa 100% për makinat elektrike kineze, ndërsa BE po heton subvencionet e Pekinit në një sërë industrish, gjë që ka bërë që firmat kineze të tërhiqen nga tenderët hekurudhorë dhe të energjisë.

Makinat elektrike (EV) kineze janë në qendër të vëmendjes në BE dhe SHBA, pasi kombi aziatik kontrollon shumicën e zinxhirit të furnizimit të baterive dhe prodhon më shumë EV se kudo tjetër në botë. Me një luftë çmimesh dhe ngadalësim të ekonomisë në vend, prodhuesit kinezë të automjeteve po zgjerohen jashtë shtetit. Por kjo prirje ka ardhur bashkë me akuzat se po eksporton kapacitet të tepërt të automjeteve, si dhe shqetësime për sigurinë kibernetike të automjeteve teknologjike.

Kristi Ceta/SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 22 Maj

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?!

Dollari amerikan blihet sot me 92.1 lekë dhe shitet me 92.8 lekë sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha europiane është blerë sot me 100 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat