Bota Postuar më 28 Korrik 2023, 11:57

SHBA, masa për të mbrojtur punëtorët nga i nxehti - Temperaturat rekord kanë përfshirë gjithë territorin e vendit

Nga SCAN TV
SHBA, masa për të mbrojtur punëtorët nga i nxehti -

Me valët e të nxehtit që përhapen në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Joe Biden njoftoi masa të reja për të mbrojtur punëtorët - duke përfshirë një alarm që njofton punëdhënësit dhe punonjësit për mënyrat për të qëndruar të sigurtë nga nxehtësia ekstreme - si dhe masa për të përmirësuar parashikimet e motit dhe për ta bërë ujin e pijshëm më të aksesueshëm.

Vendimet u morën pasi gati 40% e popullsisë së SHBA përballet me këshilla për të përballuar të nxehtin, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Temperaturat e larta tashmë kanë djegur Jugperëndimin këtë muaj dhe më shumë nxehtësi pritet në perëndim dhe Verilindje në ditët në vijim. Uashingtoni nuk do të kursehet dhe indeksi i nxehtësisë në kryeqytet mund të arrijë në 110 gradë Fahrenheit ose 43 gradë Celsius të premten.

Është një problem mbarëbotëror dhe shkencëtarët llogaritin se korriku do të jetë muaji më i nxehtë i regjistruar.

Duke vënë në dukje se temperaturat e oqeanit pranë Miamit arritën në 38 C, Biden tha se "kjo është më shumë si të futesh në një vaskë të nxehtë sesa të notosh në oqean". Duke cituar të dhëna federale, Biden e quajti nxehtësinë ekstreme vrasësin nr. 1 të lidhur me motin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se dhe ato vende që janë mësuar me nxehtësinë ekstreme nuk e kanë parë kurrë një situatë të tillë, duke përmendur pasojat e ndryshimeve klimatike.

Përpjekja e Biden për të adresuar efektet e menjëhershme të ndryshimeve klimatike vjen pasi ai përballet me presionin nga demokratët dhe grupet mjedisore për të shpallur një "emergjencë" klimatike, një hap që ai e ka shmangur deri tani. Hapat e shpallur plotësojnë axhendën e tij afatgjatë për reduktimin e emetimit të gazeve serë dhe përdorimit të teknologjisë së energjisë së pastër, politika që mund të mos japin dividentë për vitet në vijim, ndërkohë që temperaturat globale vazhdojnë të rriten.

Administrata Biden planifikon të shpenzojë 7 milionë dollarë për të zhvilluar parashikime më të detajuara të motit për të parashikuar motin ekstrem si valët e të nxehtit, plus 152 milionë dollarë për të rritur infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe elasticitetin klimatik në Kaliforni, Kolorado dhe Uashington.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 28 Korrik

Vijon rikuperimi i fortë i valutave kryesore!

Dollari amerikan vijon të forcohet ndjeshëm teksa ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të kuotës këtë mëngjes duke u blerë sot me 94.5 lekë dhe duke u......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat