Bota Postuar më 12 Dhjetor 2022, 12:10

SHBA drejt zbulimit të ‘Graalit’ të energjisë - Për herë të parë prodhohet më shumë energji se ajo që e ndez atë

Nga SCAN TV
SHBA drejt zbulimit të ‘Graalit’ të energjisë -

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në një pikë të rëndësishme për sa i përket fuzionit bërthamor. Departamenti amerikan i energjisë pritet të konfirmojë se shkencëtarët kanë qenë në gjendje, për herë të parë në histori që të prodhojnë një reaksion të fusionit bërthamor që prodhon më shumë energji se sa ajo që duhet për ta shkaktuar atë. Lajmi është publikuar nga Uashington Post, duke sqaruar se ky është një zbulim shumë i rëndësishëm pas disa kërkimesh shumë të kushtueshme për zhvillimin e një teknologjie që furnizon energji të pakufizuar, të pastër dhe ekonomike. Sipas të përditshmes amerikane përpjekjet e shkencëtarëve për të arritur në këtë pikë, kanë nisur që në vitet ’50.

Zbulimi ka ndodhur në “National Ignition Facility”, Kaliforni. Disa shkencëtarë të pyetur nga Uashington Post konfirmuan lajmin por në kushte anonimiteti. Objektiiv i kërkimeve për fusionin është replikimi i reagimit bërthamor nëpërmjet të cilit krijohet energjia në Diell. Deri tani eksperimentet kishin zhgënjyer pritshmëritë e studiuesve, të cilët kishin arritur të shkaktonin fuzionin, por duke konsumuar shumë më shumë energji se sa prodhonte vetë reaksioni.

Fuzioni bërthamor konsiderohet nga mbështetësit e tij si energjia e së nesërmes, në mënyrë të vecantë sepse nuk prodhon fare gaz serë. Fuzioni ndryshon nga ndarja, një teknikë e përdorur aktualisht në termocentralet bërthamore, e cila përfshin thyerjen e lidhjeve të bërthamave të rënda atomike për të rikuperuar energjinë. Shkrirja është procesi i kundërt: bashkohen dy bërthama atomike të lehta për të krijuar një të rëndë. Në këtë rast dy izotope - variante atomike - të hidrogjenit, të cilat krijojnë helium.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat