Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2024, 11:46

Sa “vend” zë arsimi në buxhetin e shtetit? - 55 milionë euro rritje në raport me 2023-shin. Institucioni i 3-të më i financuar

Nga SCAN TV
Sa “vend” zë arsimi në buxhetin e shtetit? - 55

Elisabeta Dosku/ SCAN

 

Afro 52.6 miliardë lekë është buxheti i arsimit për vitin 2024, sipas aktit më të fundit normativ, duke e bërë Ministrinë e Arsimit një ndër institucionet me peshën më të madhe në totalin e shpenzimeve buxhetore, pas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në raport me shpenzimet buxhetore për të gjitha institucionet, arsimi zë një peshë prej 12.2 %.

Me rishikimin që iu bë buxhetit të shtetit në muajin Gusht, Ministria e Arsimit përfitoi një shtesë fondesh, në masën 450 milionë lekë me qëllim plotësimin e tavaneve buxhetore 2024, sipas nevojave të evidentuara deri në këtë moment në zërin “Shpenzime personeli” rreth 210 milionë lekë, financimin e projekteve komunitare të KOKSH-it rreth 150 milionë lekë dhe shpërblimin e sportistëve elitarë 90 milionë lekë.

Referuar zërave buxhetorë, nga totali i buxhetit, 46.9 miliardë lekë janë shpenzime korrente, të cilat mbulojnë pagat dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për arsimtarët dhe 5,7 miliardë lekë shkojnë për shpenzime kapitale, ku përshihet dhe financimi i brendshëm dhe ai i huaj.

Arsimi bazë, përfshirë parashkollorin zë peshën më të madhe në totalin e shpenzimeve për këtë institucione, me rreth 27.2 miliardë lekë; për arsimin universitar buxheti është 13.2 miliardë lekë,  për arsimin e mesëm të përgjithshëm shkojnë afro 8.7 miliardë lekë. Ndërsa 1.6 miliardë lekë janë fonde për shkencën,  813 milionë lekë shkojnë për zhvillimin e sportit dhe 1 miliardë lekë për planifikim, menaxhim dhe  administrim.

Në raport me buxhetin fillestar të vitit 2023, fondet për arsimin kanë pësuar një rritje prej 5.5 miliardë lekësh apo rreth 55 milionë eurosh ku është akomoduar dhe reforma e rritjes së pagave.

Nga ana tjetër Ministria e Arsimit dhe Sportit, regjistron numrin më të lartë të punonjësve buxhetorë në raport me të gjitha institucionet e tjera, rreth 31 mijë. Peshën më të madhe në këtë numër e zënë mësuesit në të gjitha nivelet arsimore.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat