Shqipëria Postuar më 30 Maj 2022, 14:05

Sa shkëmben Shqipëria me Malin e Zi? - Analiza e shifrave/ Çfarë po i luhat importet

Nga SCAN TV

Mali i Zi, zë një pjesë të vogël në listën e vendeve të rajonit me të cilat Shqipëria ka shkëmbime tregtare. Megjithatë, ajo që konstatohet është një tendencë rritëse e ndjeshme e importeve.

Mesatarisht, Shqipëria eksporton në Mal të Zi mallra me vlerë 5 deri në 6 miliardë lekë në vit. E për importet, 2 deri në 4 miliardë lekë.

Po ajo që konstatohet vitin e fundit është se ndryshe nga eksportet, importet kanë njohur një rritje të konsiderueshme, duke u dyfishuar në vitin 2021 e duke arritur vlerën 4.6 miliardë lekë.  Rritja më e madhe e importeve ndodhi në fund të vitit 2021, përkatësisht në nëntor dhe dhjetor, sidomos me grupmallrat ‘minerale, lëndë djegëse e energji elektrike’.

Por a po vijon kjo tendencë edhe gjatë këtij viti?

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se në periudhën janar-prill, Shqipëria ka importuar nga Mali i Zi mallra me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë. Rritja, krahasuar me tremujorin e të njëjtës periudhë të një viti më parë është me rreth 1.2 miliardë lekë më shumë, raporton SCAN.

Ndikimin më të madh, me rreth 1.7 miliardë lekë, e zënë sërish grupmallrat ‘minerale, lëndë djegëse e energji elektrike’.

Sa i përket eksporteve, në periudhën janar-prill 2022, Shqipëria ka eksportuar në Malin e Zi mallra me vlerë 1,9 miliardë lekë, duke njohur rritje me rreth 100 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Shqipëria dhe Mali i Zi shkëmbejnë ushqime, minerale, lëndë djegëse e energji elektrike, materiale ndërtimi e metale, prodhime druri e letre si dhe tekstile dhe këpucë. Edhe për shkak të madhësisë dhe natyrës së ekonomisë, Mali i Zi nuk zë të njëjtën peshë sa dy vendet e tjera kufitare të Shqipërisë, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, që gjithashtu po njohin ritme të forta të rritjes së shkëmbimeve tregtare.

SCAN

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...