Shqipëria Postuar më 13 Shkurt 2024, 13:09

Sa i “kushtoi” doganave zhvlerësimi i euros? - Të ardhurat në Janar kapërcejnë “ngërçin”. Arkëtohen 15 miliardë lekë

Nga SCAN TV

Administrata doganore ka arritur të arkëtojë 15 miliardë lekë apo rreth 155 milionë dollarë në Janar të këtij viti, duke e bërë atë muajin me perfomancën më të mirë të 10 viteve të fundit.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të siguruara nga SCAN TV, të ardhurat doganore ne krahasim me Janar 2023 janë realizuar me rreth 227 milionë lekë më shumë apo +1,5%, por ky trend do të ishte edhe më i lartë nëse do të llogaritej efekti negative i kursit të këmbimit. Konkretisht zhvlerësimi i euros i ka kushtuar buxhetit të doganave, rreth 1,3 miliardë lekë vetëm nga rënia e kursi të këmbimit apo rreth 10%.

Peshën kryesore në të ardhura e zë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me rreth 9.9 miliardë lekë, ndjekur nga akciza, zë nga i cili janë mbledhur 4.3 miliardë lekë, taksat doganore kanë siguruar 639 milionë lekë dhe renta minerare 187 milionë lekë.

Sa i takon e ecurisë krahasuar me Janar 2023,  akciza ka sjellë +197 milionë lekë dhe  kjo shifër ka ardhur e ndikuar nga performanca pozitive e importit të karburantit,  cigareve dhe verës.

Nga TVSH janë arkëtuar +30 milionë lekë ku kanë ndikuar kryesisht automjetet e përdorura, ndërsa negativisht ka performuar energjia elektrike dhe gazi.

Taksa doganore është realizuar me rreth +55 milionë leke më shumë, rritje kjo që vjen nga rritja e importeve të veshjeve, verës dhe frutave.

Ndërsa performancë negative ka pasur renta minerare, me -48 milionë lekë e ndikuar nga ulja e te ardhurave nga nafta bruto për shkak të rënies së çmimit.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat