Shqipëria Postuar më 10 Janar 2023, 12:57

Sa e fuqishme është Shqipëria ushtarakisht? Në vendin e 91-të në botë, e dyta në rajon, pas Serbisë

Nga SCAN TV

“PowerIndex”, indeksi i fuqisë ushtarake të shteteve, i finalizuar nga “Global Firepower”, i cili mat fuqinë ushtarake të 145 shteteve të ndryshme, e rendit Shqipërinë në vend të 91-të për vitin 2023. Ky indeks e përcakton rezultatin e një shteti të caktuar duke përdorur si indikatorë jo vetëm fuqinë ushtarake, por edhe financat e deri te aftësitë logjistike dhe gjeografia. Me një rezultat të përgjithshëm të indeksit të fuqisë prej 1,8466, Shqipëria duket se ka fituar terren në këtë indeks në krahasim me një vit më parë, kur forca ushtarake e vendit tonë renditej në vend të 115-të dhe vlersohej me 3,0023 pikë. Një rezultat prej 0 pikësh konsiderohet "i përsosur", sipas kritereve të raportit. Shigjeta me ngjyrë të gjelbërt, e cila tregon krahasimin e tendencave nga viti në vit, e pasqyron përmirësimin e vendit tonë, por le të shohim se sa e pajisur me mjete moderne ushtarake është vendi ynë.

Sipas indeksit, Shqipëria e regjistron buxhetin e mbrojtjes në 192 milionë dollarë, ndërkohë që ky nivel buxheti na rendit në vend të 122-të mes 145 vendeve në total. Pra, sa i përket shpenzimeve në fushën e mbrojtjes Shqipëria pozicionohet mes vendeve të fundit. Nëse do ta kalojmë fokusin tek mjetet ushtarake të ajrit, të dhënat e indeksit tregojnë se vendi ynë disponon vetëm 19 avionë në total, ndërkohë nuk regjistron asnjë avion që përdoret për trajnim, asnjë avion luftarak, asnjë avion të misioneve speciale ushtarake dhe asnjë avion apo helikopter sulmues. Për këto të fundit Shqipëria është renditur vendi i fundit në botë. Le të shohim se sa mjete ushtarake të tokës ka Shqipëria. Shifrat e indeksit tregojnë se në total kemi 40 tanke dhe 2,112 automjete ushtarake të blinduara. Jemi në vend të fundit sa i përket artilerisë vetëlëvizëse dhe asaj të raketave. Pra e thënë ndryshe, mjetet ushtarake tokësore në Shqipëri në total përbëhen nga 98.2% mjete të blinduara dhe 1.8% tanke. Por si paraqitet gjendja e mjeteve detare në Shqipëri? Sipas raportit, Shqipëria përbëhet vetëm nga patrulla në det të hapur. Llogariten gjithsej 19 anije patrulluese. Jemi të fundit për aeroplanmbajtës, për nëndetëset dhe për luftë ndaj minave.

Në vija të përgjithshme sa i përket artilerisë Shqipëria nuk rezulton me performancë pozitive. Pozicionimin më pozitiv Shqipëria e mban sa i përket anijeve, porteve kryesore, vijës bregdetare dhe konsumin e naftës.

Nëse do ta krahasonim me rajonin, Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë, e cila pozicionohet në vend të 58-të. Kosova ka pozicionimin më të keq në rajon, por shihet të ketë përmirësuar ndjeshëm pozicionin e saj në raport me vendet e botës. Gjatë vitit 2023 Kosova renditet në vend të 134-tët nga 140 shtete në total, ndërkohë vitin e kaluar ishte e parafundit në botë. Bosnje Hercegovina renditet në vend të 133-të, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut në vend të 128-të dhe 108-tët respektivisht. Maqedonia e Veriut po ashtu ka një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar. Në vend të parë në këtë indeks kryesojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndjekin në renditje duke u pozicionuar në vend të dytë dhe të tretë, Rusia dhe Kina.

Indeksi i Fuqisë Ushtarake 2023

Indeksi i Fuqisë Ushtarake 2023

Për të parë raportin e plotë klikoni këtu

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat