Shqipëria Postuar më 15 Nëntor 2023, 17:38

“Rritja ekonomike e Shqipërisë do ngadalësohet”. KE: Shkak konsumi i ulët, nga çmimet e larta dhe efektet e kursit të këmbimit në eksporte  

Nga SCAN TV
“Rritja ekonomike e Shqipërisë do ngadalësohet”. KE:

Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në vitin 2023 dhe 2024, në raport me vitin 2022 për shkak të ngadalësimit të konsumit privat, si pasojë e çmimeve të larta të ushqimeve, frenimit të punësimit dhe efekteve negative në eksporte, si pasojë e forcimit të lekut. Vlerësimi vjen nga raporti i vjeshtës i Komisionit Europian, që gjithashtu thekson se edhe investimet priten të dobësohen për shkak të shtrëngimit të kushteve të financimit. Sipas raportit, rritja pritet të ngadalësohet nga 4.8% në 2022, në 3.5% në 2023, duke reflektuar efektet bazë të ngadalësimit të konsumit privat në kushtet e çmimeve ende të larta të ushqimeve, ndonëse vazhdon të përfitojë nga rritja e punësimit dhe rritja e pagave reale.

Gjithashtu, eksportet e mallrave parashikohen të dobësohen, pjesërisht për shkak të humbjes së konkurrencës së çmimeve nga mbiçmimi i monedhës vendase, ndërkohë që eksportet e shërbimeve nga turizmi pritet të mbeten të forta. Ndërkaq, në vitin 2024 rritja ekonomike pritet të jetë edhe më e ulët, duke rezultuar në 3.1%.

Sipas Komisionit Europian, përshpejtimi i konsumit privat dhe investimet pritet të rrisin rritjen ekonomike në 3.7% në 2025, ndërkohë që reduktimi i borxhit publik parashikohet të vazhdojë, ndonëse me ritme më të ngadalta se vitet e mëparshme.

Ola Mitre/SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat