Bota Postuar më 15 Nëntor 2023, 16:22

Dollari realizon ditën më të keqe në një vit - Tregtohet në nivelin më të ulët në 2 muaj, ndikon ngadalësimi i inflacionit

Nga SCAN TV
Dollari realizon ditën më të keqe në një vit -

Dollari amerikan është rimëkëmbur lehtë në sesionin e sotëm, ndërsa të martën realizoi humbjet më të mëdha ditore në thuajse një vit, pasi inflacioni në SHBA rezultoi më i ulët se parashikimet e analistëve për tetorin.

Tashmë, investitorët besojnë se, Rezerva Federale e ka mbyllur ciklin e shtrëngimit të politikës monetare dhe në maj të vitit 2024 mund të vijë ulja e parë e interesave. Në anën tjetër, paundi britanik po qëndron në rënie, pasi edhe në Mbretërinë e Bashkuar inflacioni rezultoi poshtë parashikimeve të tregjeve.

Referuar të dhënave zyrtare inflacioni në Britani preku nivelin më të ulët në 2 vitet e fundit, gjatë tetorit, duke shtuar shenjat se edhe Banka e Anglisë mund të jetë drejt fundit të ciklit shtrëngues të politikave monetare.

Indeksi i dollarit amerikan, që mat performancën e kësaj monedhe përballë 6 të tjerave, po qëndron në rreth 104.2, shumë pranë nivelit më të ulët në mbi 2 muaj. Ndërsa paundi britanik po qëndron në rënie të lehtë, në rreth 1.2460 dollarë, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 1.8% përballë dollarit, fitimet më të mëdha ditore në thuajse një vit. Inflacioni në Britani u rrit me 4.6% me bazë vjetore, nga 6.7% që ishte në shtator. Analistët parashikonin një rritje prej 4.8%.

Edhe euro po qëndron pranë nivelit më të lartë që nga gushti i këtij viti dhe po këmbehet në rreth 1.0850 në raport me dollarin. Në fokus të tregjeve është edhe jeni japonez, pasi ekonomia e tretë më e madhe në botë u kontraktua gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti, duke komplikuar përpjekjet e bankës qendrore për t’u larguar nga politika monetare ultralehtësuese.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat