Europa Postuar më 3 Nëntor 2023, 10:31

Republika Çeke nuk e do euron - Por, 50% e kredive të biznesit nga bankat vendase janë në monedhën europiane

Nga SCAN TV
Republika Çeke nuk e do euron - Por, 50% e kredive të biznesit nga

Qeveria nuk ka plan për të adoptuar euron, qytetarët nuk e duan dhe banka qendrore kërkon të mbajë kontrollin e normave të interesit. Pothuajse dy dekada pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, Republika Çeke nuk është aspak afër synimit për t'u bashkuar me Eurozonën dhe është një nga vendet më euroskeptike. Por, bizneset kanë një këndvështrim të ndryshëm dhe teksa i marrin gjërat në duart e tyre, po e shtyjnë Republikën Çeke në një vend ku politikanët dhe bankierët qendrorë nuk duan të shkojnë.

Shifrat nga Banka Qendrore tregojnë se për herë të parë gjysma e kredive të hapura të biznesit nga bankat tregtare çeke janë në valutë, kryesisht euro. Shifrat janë edhe më të larta nëse përfshihen edhe kreditë nga bankat e huaja. Përveç kësaj, rreth 20% e tregtisë ndërmjet kompanive çeke bëhet në euro dhe shumë eksportues i paguajnë furnizuesit e tyre vendas në euro.

Sipas drejtuesve të bizneseve, koruna është vetëm një monedhë me “kohë të pjesshme”, sepse bizneset e mëdha që dominojnë ekonominë kanë adoptuar kryesisht euron.

Që nga viti 2004, kur Bashkimi Europian filloi zgjerimin e madh drejt lindjes, Sllovenia, Sllovakia, Estonia, Letonia, Lituania dhe së fundmi Kroacia kanë adoptuar euron. Bullgaria synon gjithashtu të bëjë ndryshimin, ndërsa Republika Çeke së bashku me Hungarinë dhe Poloninë kanë vonuar vazhdimisht zëvendësimin e monedhave të tyre kombëtare.

Dhe kjo pavarësisht se Republika Çeke është në një pozitë më të mirë për të përmbushur kriteret e Mastrihtit për t'u bashkuar me euron. Raporti i borxhit ndaj PBB-së është një nga më të ulëtit në Europë dhe ekonomia është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e inflacionit dhe deficitit buxhetor.

Përveç kësaj, në shumë mënyra ky vend me 11 milionë banorë është një histori suksesi në transformimin postkomunist. Një industri automobilistike në lulëzim i ka ndihmuar çekët të kapërcejnë vendet si Spanja dhe Greqia në standardet e jetesës, të matura me PBB-në për frymë.

Por, pak vende janë aq euroskeptike sa Republika Çeke. Sondazhet e opinionit mes shteteve të BE-së që ende nuk kanë miratuar monedhën e përbashkët tregojnë se çekët tregojnë nivelin më të ulët të mbështetjes për euron.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat