Europa Postuar më 6 Maj 2022, 10:13

Pse qytetarët e BE-së mund të kërkojnë dëmshpërblim për nivelet e dëmshme të ndotjes?!

Nga SCAN TV

Qytetarët e Bashkimit Europian mund të jenë në gjendje të kërkojnë kompensim nga qeveritë nëse shëndeti i tyre është prekur nga ndotja e tepërt e ajrit, tha një këshilltar i lartë gjyqësor.

Juliane Kokott, Avokatja e Përgjithshme në Gjykatën Europiane të Drejtësisë tha se qeveritë e BE-së mund të mbahen përgjegjëse nëse nuk kanë arritur të përmbushin premtimet për cilësinë e ajrit.

Ky opinion erdhi pasi një qytetar i Parisit kërkoi 21 milionë euro dëmshpërblim nga Franca, duke pretenduar se ndotja në rritje e ajrit në kryeqytetin francez i kishte dëmtuar shëndetin.

Paditësi kishte argumentuar se shteti francez mbante përgjegjësi sepse nuk siguronte respektimin e kufijve të BE-së.

Kokott ra dakord që Franca mund të paditet edhe pse ishte e vështirë të provohej një "lidhje e drejtpërdrejtë shkakësore" midis shkeljes serioze të rregullave për cilësinë e ajrit dhe dëmtimit specifik të shëndetit.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se komunitetet më të varfra që jetojnë dhe punojnë në zona shumë të ndotura kanë nevojë veçanërisht për mbrojtje gjyqësore.

Por Kokott shtoi se Shtetet Anëtare mund të heqin veten nga faji duke vërtetuar se ndotja e ajrit do të kishte ndodhur ende edhe nëse ata do të kishin miratuar plane të mjaftueshme për cilësinë e ajrit në kohë.

Mendimet e Avokatëve të Përgjithshëm nuk janë të detyrueshme, por zakonisht ndiqen nga gjykata me qendër në Luksemburg.

Në vitin 2019, Gjykata Europiane e Drejtësisë zbuloi se Franca kishte tejkaluar “sistematikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme” kufirin vjetor për dioksidin e azotit që nga viti 2010.

Për më tepër, gjykata më e lartë administrative e Francës vitin e kaluar gjobiti qeverinë e presidentit Emmanuel Macron me një rekord prej 10 milionë eurosh për dështimin në uljen e ndotjes së ajrit në nivele të pranueshme. AP

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat